Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja bëri të ditur sot se shumë shpejt Ministria e Drejtësisë do të paraqesë në Kuvend ndryshime në ligjin e Shërbimit Përmbarimor Privat.
Pas debatit që u zhvillua në Kuvend lidhur me raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë, Manja ndërhyri duke folur për Shërbimin Përmbarimor Privat, aktiviteti i të cilit mbikëqyret nga Ministria e Drejtësisë.
Ministri theksoi se tashmë kemi një ligj modern të Shërbimit Përmbarimor Publik që konkurron denjësisht Shërbimin Përmbarimor Privat.
“Në këtë seancë u anatemua shumë edhe roli i Shërbimit Përmbarimor privat. Ministrinë e Drejtësisë me Bankën e Shqipërisë e lidh veprimtaria e Shërbimit Përmbarimor Privat dhe ajo e kredimarrjes që jepet nga bankat ose institucionet financiare jobankare. Shërbimi Përmbarimor është i rregulluar me ligj të vitit 2008, pastaj në vitin 2019 miratuam ligj të ri për Shërbimin Përmbarimor Privat, që është një shërbim i vetëpërregulluar”, tha Manja.
Ministri theksoi se në Shërbimin Përmbarimor Privat ka 129 licenca aktive.
“Duke përjashtuar ata përmbarues privat që në vlerësimin e Ministrisë së Drejtësisë kanë kryer jo thjesht shkelje administrative por shkelje penale, nuk mund ta njollosin këtë shërbim, sepse është një profesion ku shumica dërrmuese e këtyre profesionistëve ushtrojnë veprimtarinë në përputhje me ligjin”, tha Manja.
Ndaj, ai kërkoi që të mos etiketohet shërbimi me një grusht përmbaruesish.
“Në datën 30 maj i jam drejtuar Prokurorisë së Tiranës me kallëzim penal. Janë 12 përmbarues privat të kallëzuar prej meje, dy shoqëri mikrokredie, 1 notere dhe një kompani përmbarimore. Tani i takon hetimit të thotë fjalën e vetë. 4 prej këtyre përmbaruesve privatë, që janë edhe bashkëpunëtorë me këto skema mashtrimi u janë hequr licencat, 6 të tjerëve u janë pezulluar dhe 9 janë në proces heqje licencash, që do të thotë se institucionet nuk kanë heshtur por kanë vepruar”, tha Manja.
Manja hodhi poshtë edhe pretendimet e ngritura nga opozita se nga këto skema janë mashtruar 120 mijë qytetarë.
“Për 3 vjet Ministria e Drejtësisë ka marrë 700 ankesa në lidhje me këta përmbarues që sot janë denoncuar. Por mbi 95% e kredimarrësve janë qyteraë të rregullt që kanë marrë kredi në institucione financiare jo bankare, por nuk mund të thuhet se janë mashtruar 120 mijë qytetarë”, tha ai.
Lajmi kryesor: