Shumëkush e mban mend atë lulishte përballë PD mbi të cilën ishin ngulur kioska në kohën e ish-kryebashkiakut Sali Kelmendi, por që kishte shërbyer gjithnjë si vend pushimi për militantët e shumtë të PD, në ditët e gëzuara të saj, në fitoret e para por dhe të hidhura pas humbjeve të njëpasnjëshme, nga ku nisnin protestat kundër qeverisjes së Nanos e ku pikërisht në këtë lulishte kanë qenë parkuar dhe dy blinda në atë shtator të zymtë të vitit 1998, pas vrasjes së heroit të demokracisë Azem Hajdari.
Por historia e kësaj lulishteje ka zgjatur deri fiks para tre vitesh, kur mbi të nisën punimet e para për ngritjen e një pallati 8-katësh, me lejen e firmosur nga ish-kryebashkiaku Edi Rama. Një gropë që ka qëndruar shumë kohë e rrethuar, një garazh i thellë që tashmë ka përfunduar, duke ftilluar në këtë mënyrë dhe themelet e kësaj godine që thuhet se do të jetë sipas parametrave më bashkëkohore, aq sa sipas të gjitha zërave ia vlente që ta "shuante" dhe lulishten e hershme përballë PD me emrin "Fan Noli".
"Toptani Plaza" është një projekt në proces ndërtimi, i pozicionuar në zemër të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë e zonës më të madhe metropolitane. Si destinacioni më i ri i kryeqyetit për retail dhe argëtim, Toptani Plaza është një mundësi e shkëlqyer për investitorët dhe kompanitë, që janë të interesuar në ambiente për retail, zyra dhe argëtim", thuhet për këtë projekt.
Me një sipërfaqe prej 60000 m2 organizuar në 8-kate dhe me një hapësirë parkimi prej 600 makinash, synohet t'i sillet tregut shqiptar një përvojë të paharrueshme blerjesh, gastronomie e argëtimi. Qëllimi thuhet se është ta bëjnë Toptani Plaza një destinacionin perfekt për të prezantuar konsumatorin me markën e gjithë konsumatorëve shqiptarë duke sjellë standardet e larta të shërbimit, përballë selisë blu, që pritet të startojë brenda 2014, kur të përfundojë.
Duke qenë shumë fleksibël për të ofruar hapësira të përshtatura për nevojat e bizneseve e markave të palëve të interesuara, por asnjë lloj mundësie për qytetarët e Tiranës, për të pushuar. Pikërisht ky pallat ka qenë fillesa e një debati të padëgjuar në TV Klan teksa analisti i ftuar Lubonja ka akuzuar moderatorin Fevziu si bashkëkontributor në masakrimin e lulishtes "Fan Noli" e kthimin e saj në gërmadhë.
DEBATI I PLOTE
Lubonja: Ti e di shumë mirë që për pallatet e Edi Ramës kam 10 vjet që kam folur, që ka rrethuar Tiranën dhe për pallatet e tua që po ta them dhe një herë...
Fevziu: Po po …
Lubonja: Dhe këto janë në konflikt të hapur interesi.
Fevziu: Ka akuzë konkrete për mua, Lubonja thotë "pallatet e mia". Më thuaj kush janë pallatet e mia?
Lubonja: Do pallatet ti, të t`i them meqë e deshe.
Fevziu: Po më thuaji.
Lubonja: Pallati ku banon te Rruga e Elbasanit.
Fevziu: Po pse s`do banoj unë në ndonjë vend. Ai nuk quhet pallati im , ai është pallati i ndërtuesve, ç`punë kam unë me atë.
Lubonja: Si? Po sa kate është ai?
Fevziu: 13 kate.
Lubonja: E do ti historinë e pallatit tënde se unë e di më mirë. Meqë i hyre kësaj teme të pallateve.
Fevziu: Po thuaje. Po pallati yt Luba. Ku banon ti?
Lubonja: Mund të jetë dhe ai mo, por nuk është i imi, s`është toka ime.
Fevziu: Po pse ky ku jetoj unë qenka i im?
Lubonja: Por është toka jote more. Po flasim për tokën tënde.
Fevziu: Nuk është toka ime. Si qenka toka ime ajo?
Lubonja: Po flasim për pallatin ku banon ti.
Fevziu: Ç`punë kam unë me pallatin. Edhe pallati ku banon ti i bie të jetë i joti pastaj. Ti më thua që një pallat që e bënë një ndërtues është pallati i jot?
Lubonja: Më latë pa folur. Ky (për Andi Bushatin) ka denoncuar pallatet e Klanit vetë ky dhe ti e di mirë.
Fevziu: Çfarë pallatesh ka denoncuar?
Lubonja: Ta thotë vetë më mirë pse ta them unë.
Fevziu: Merru me mua
Lubonja: Po s`po më lini ju të flas. Rama është akuzuar se ka shkatërruar gjithë lulishtet në zonat e Tiranës, duke dhënë leje ndërtimi në zonat e gjelbërta, duke prishur dendësinë e banorëve e etj. Pallati jot që është 13 kate planin urbanistik e ka patur 5 kate.
Fevziu: S`ka patur plan urbanistik
Lubonja: Ishte ai i Adil Çarçanit. Këtë e di nga Albert Brojka, ma ka thënë ai.
Fevziu: E ke gabim të ka gënjyer. E vërtetojmë që tani po të duash.
Lubonja: Plani është bërë për në pronë private.
Fevziu: Po e marrim të mirëqenë se është plani i miratuar. Ku jam unë në këtë mes? Pse s`do marr apartament, ku do do banoj unë?
Lubonja: Aty ishte një zonë me vila që nuk duhet të ishin prishur fare sipas mendimit tim. Ti kishe një vilë tënden si person.
Fevziu: Jo unë nuk kisha një vilë, kishte mamaja ime 130 metra katrorë.
Lubonja: Ishte për tu bërë 5 katëshe. Shkove dhe i the Brojkës, "ma bë 8 katësh"
Fevziu: Jo s`është e vërtetë. Thirre Brojkën këtu. Ti flet për një gjë që unë nuk jam përfitues.
Lubonja: Pastaj erdhi Rama zotëri dhe e bëri 13 katësh dhe ajo është jashtë çdo norme ligjore urbanistike. Si kjo janë bërë shumë. Po te kjo lulishtja përballë PD-së ke ndonjë pronë ti?
Fevziu: Në 1780, kishte mamaja ime.
Lubonja: A ishte lulishte ajo, pse u prish?
Fevziu: Se di, pyet Ramën për këtë jo mua. U mor firma e ndërtimit.
Lubonja: Je dhe ti atje.
Fevziu: Po janë familjarët e mi. Po dhe ti ke katër shtëpi në Tiranë. Do të fillojmë kështu tani? Me çfarë e bleve shtëpinë në Petrelë e ato të tjerat…?
Lubonja: Ku i kam katër unë mo?
Fevziu: Po shtëpinë te Shkolla e Kuqe pse e shembe ti?
Lubonja: Ç`është kjo? Atë se kam shembur unë, e ka shembur djali i xhaxhait tim. Po unë s`kam marrë leje ndërtimi.
Fevzi: Po as unë nuk marrë, unë nuk kam firmë timen.
Lubonja: Unë di që u prish një lulishte përballë PD-së, në sytë e Sali Berishës, pse e akuzon tani Berisha Linda Ramën për një pallat?
Fevziu: Një minutë, a mban ti përgjegjësi për djalin e xhaxhait tënd?
Lubonja: Jo, unë s`kam marrë leje ndërtimi. Po te ajo lulishtja nuk je ti këtu?
Fevziu: Jo s`jam fare, nuk hyj unë. Janë familjarët e mi.
Lubonja: E mirë tani, kështu do flasim. Të thash në pallatet ku je dhe ti është bërë ajo që akuzon PD-ja.
Fevzo: Po në pallatet ku jeton ti, është bërë ajo që akuzon PD-ja, është ndërtuar mes dy pallateve, është prishur lulishte.
Lubonja: Nuk është i imi. Nuk është prishur lulishte. Aty ka qenë studioja e Odise Paskalit.
Fevziu: A studioja e Paskalit, aq më keq akoma.
Shkrimi u botua në gazetën e sotme Shqiptarja.com
(eç/shqiptarja.com)