Pallati 17-katësh te Liqeni, sërish
polemika e debate PS-Bashkia Tiranë

Pallati 17-katësh te Liqeni, sërish<br />polemika e debate PS-Bashkia Tiranë
TIRANE- Vijojnë sërish polemikat dhe debatet mes Partisë Socialiste dhe Bashkisë së Tiranës për kompleksin e pallateve 17-katëshe që po ndërtohet pranë liqenit artificial në kryeqytet. Në një deklaratë për mediat, sërish ditën e sotme, sekretari ekonomik i Partisë Socialiste, Ervin Bushati i ka rikujtuar Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Lulzim Bashës, premtimet e tij elektorale duke i konsideruar thjesht si gënjeshtra.
 
Ndërkohë i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Bashkisë Tiranë me një deklaratë për shtyp ku ripërsëritet fakti se projekti i kompleksit me godina 17 katëshe nuk do të cënojë asnjë cm pronë publike dhe kjo është arsyeja e “mllefit të Edi Rmës dhe sekserëve të tij”.
 
Në deklaratën e tij, Bushati listoi si gënjeshtra premtimet e hershme elektorale të Lulzim Bashës se nuk do të lejonte më ndërtime në parkun e Tiranës, apo edhe premtimet e kryetarit aktual të bashkisë për laicitet politik gjatë detyrës dhe për shtimin e zonave të gjelbërta. Në fund të deklaratës së tij, Bushati i lë si alternativë të vetme Bashës të japë dorëheqjen pasi, sipas tij, “kryeqytetit i duhet një kryebashkiak dhe jo një kryetar partie që nuk mund të merret dot me Tiranën”.
 
Ndërsa në reagimin e saj për mediat ndaj deklaratës së PS, Bashkia Tiranë risolli shifrat e kompleksit me pallate 17-katëshe që do ndërtohet pranë digës së “Liqenit Artificial”.
 
Sipas bashkisë projekti aktual nuk prek asnjë centimetër pronë publike apo të “Liqenit Artificial”, përkundrazi “ruan kompleksin e pishinave dhe kompleksin sportiv si dhe kthen 20 mijë metra katrorë nga pronë private në hapësira publike, në përputhje me rregullat e planit urban të Tiranës”. Dhe këto argumente, gjithmonë sipas Bashkisë së Tiranës, janë arsyeja e “mllefit të Edi Ramës dhe sekserëve pazarprishur që qëndrojnë pas tij”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Veri Jug në Zall Herr, dhoma e zjarrit të nxjerrjes së rakisë

VIDEOLAJM/ Veri Jug në Zall Herr, dhoma e zjarrit të nxjerrjes së rakisë