Banorët e një pallati 5 katësh në qytetin e Laçit e kaluan natën jashtë, pasi pretendojnë se objekti në të cilin jetojnë rrezikon shembjen. Shkak për këtë situatë janë bërë punimet infrastrukturore që po bëhen në kuadër të programit të rindërtimit nga tërmeti.
Hapja e një kanali disa metra të thellë për disiplimin e ujërave të përroit të qytetit pranë zonës së banuar ka krijuar gërryerje deri në themelet e këtij pallati dhe të disa objekteve të tjera. Në këto kushte banorët thonë se jeta e tyre është në rrezik, duke shtuar se punimet po kryhen pa asnjë lloj studimi dhe se shqetësimi i tyre nuk po gjen zgjidhje.
'Po na shembet pallati. Sa u gërrye vendi poshtë u shemb pallati. Si nuk kemi frikë, ka filluar dheu që të gërryhet. Unë banoj në kat të 5-të me familjen dhe kemi frikë të jetojmë në shtëpi. Ka dy muaj që po përpiqemi të merremi vesh me firmën. I ka bërë punimet kur po binte shi. Në momentin që filloi dheu duke u shemb këto sollën dy pika zhavorr për të na hedh hi syve ne. Nuk është marrë asnjë lloj mase. Jemi shumë të rrezikuar. Nuk na pyet kurrkush dhe nuk na dëgjon kurrkush. Duhet të anulohen punimet se këto punime janë të rrezikshme për ne. Dita ditës po shembet.'- thanë banorët.
Janë 15 familje të këtij pallati dhe banor të disa objekteve të tjera aty pranë të cilët kërkojnë që të ndërpriten menjëherë punimet dhe të bëhet një studim i të gjithë zonës për të shmangur rrezikun dhe më pas të vijohet me zbatimin e projektit.
Lajm në përditësim...