TIRANË, 12 Shkurt/ATSH- I. Vata/-Kryetari i grupit parlamentar te Partisë Demokratike, Edi Paloka, i është përgjigjur kryeministrit Rama në lidhje me akuzat e tij ndaj opozitës dhe akuzat për shpifje, duke e akuzuar atë se kërcënon qytetarët me burg, madje dhe deputetët e opozitës.
Paloka duke folur ne Kuvend, u shpreh se "kryeministri tha këtu se opozita qenka fajtore edhe për kriminalitetin në Shqipëri. Sigurisht, ne nuk i urojmë askujt t'i shkaterrohet prona, asnjë qytetari të thjeshtë, qoftë ky edhe Saimir Tahiri. Janë të tjerë ata që e kanë zakon të fërkojnë duart kur krimi kërcënon. Ky është kryeministri që jo vetëm fërkon duart, por dhe e urdhëron atë. Ju e dëgjuat atë kur kërkoi burg për mua dhe Ristanin dhe të jeni të sigurtë se po ta kishte në dorë, të gjithë në burg do të ishim dhe sot na akuzon se jemi ne opozita që kemi vënë bombat në Tiranë".
"Lidhur me ngjarjen e para dy ditëve, nuk i urojmë askujt të keqen, as Saimir Tahirit, por nuk jemi ne autorët. Pse jemi në këtë situatë, sepse ky kryeministër, kjo mazherancë, që kur erdhi në pushtet pati aleancë me krimin dhe tani krimi kërkon shpërblimin. Ne nuk jemi gëzuar për tritolin e vendosur në Tiranë. Por, kryeministri gëzoi kur u kërcënua lideri i opozitës dhe të njëjtën gjë kërkon edhe me akuzën ndaj meje dhe Ristanit duke na kërcënuar me burg", tha Paloka. /a.ke/










