Banorët e fshatit Peshtan i VogëlFier, i cili është përfshirë ditën e sotme nga flakët, e kanë përshkruar situatën si tejet dramatike.

Duke folur për Report Tv, njëri prej banorëve tha se e kishte evakuuar familjen e tij larg fshatit, teksa shtoi se atij i rrezikohej banesa dhe me qindra rrënjë ullinj.

Ai theksoi gjithashtu se nga shërbimi zjarrfikës nuk ishte bërë puna e duhur, për shuarjen në kohë të flakëve.

“Jam banor i Peshtanit të Vogël. Nga banesa jam evakuuar. I dërgova prindërit e mi larg që këtu. Rrezikohen shtëpitë. Ullinj janë shumë, janë rreth 700 rrënjë që rrezikohen. Nuk jemi dëmshpërblyer asnjëherë. Asnjë mjet zjarrfikës, asgjë. Këtu ka mbaruar çdo gjë, shteti ka mbaruar. S’ka përgjegjës. Le të ikin edhe këta që kanë mbetur dhe ta gëzojnë qeveritarët”, tha një banor i zonës.

Më tej, një tjetër banor i zonës theksoi se i ishin djegur rreth 250 rrënjë ullinj, teska shtoi se nuk u kishte ngelur rrugëzgjidhje tjetër, veçse të largoheshin nga Shqipëria.

“E njëjta gjë na ndodhi edhe herën e parë që na u dogjën ullinjtë andej. Unë mbi 250 drunj ullinj, të gjithë në prodhim. Plus lere ullinjtë, por rrezikojnë edhe shtëpitë. Unë kam shtëpitë atje. Zjarri mund të ishte parandaluar që në fillim. Nuk ka shtet këtu, nuk funksionon asgjë. Ku e ke helikopterin tani? Ku e ke zjarrfikësen? Një helikopter është ai, çfarë do bëjë më para? Kështu që të ngarkojmë plaçkat ne dhe të largohemi nga Shqipëria. Janë ullinjtë në prodhim, atje i kishim shpresat ne. Po kaloi zjarri kthesën këtu, mbaruam”, tha një tjetër banor i zonës.


Lajmi kryesor:

Flakët në Fier 200 metra larg lokaleve, pronarët evakuojnë stafin! 3 të asfiksuar, raportohet edhe për banesa të djegura! Rrezikohet një karburant, ndërhyrje nga ajri me 2 helikopterë dhe 1 avion