Digjen më shumë se 7 mijë ha pyje dhe mijëra njerëz janë evakuuar nga zjarret e shumta që kanë kapluar Francën jugperëndimore. Temperaturat e larta dhe erërat e forta kanë komplikuar përpjekjet për shuarjen e flakëve.
Një mijë zjarrëfikës të mbështetur nga 10 avionë po përpiqen për të vënë zjarrin nën kontroll dhe kanë ndihmuar në evakuimin e rreth 10,000 personave nga shtëpitë e tyre të cilat rrezikonin djegien. Deri tani nuk është raportuar asnjë viktimë, vetëm disa shtëpi e makina të cilat janë dëmtuar si edhe janë shkatërruar pyje me pisha pranë bregut Adriatik.
Një nga zjarret franceze është në pyjet në jug të qytetit turistik të Atlantikut të Arcachon, i cili ka qenë gjithmonë një vend turistik për vizitorët nga e gjithë Franca dhe më gjerë gjatë sezonit të verës. Ndërsa vatra tjetër është në një park jo shumë larg nga luginat e mbushura me vreshta që kanë luftuar me motin më të nxehtë dhe më të thatë se zakonisht këtë vit që autoritetet e lidhin me ndryshimin e klimës.
Luftimi i zjarreve ka filluar që ditën e martë dhe vijon akoma. një nga zjarret u frenua pjesërisht, por temperaturat më të nxehta dhe erërat mund të komplikojnë më tej përpjekjet.
Disa nga avionët dhe pajisjet e zjarrfikësve që supozohej të ekspozoheshin në paradën e Ditës së Bastiljes të së enjtes në Paris, u devijuan për t'u përdorur në zjarret në rajonin e Bordo. Flakët kanë shpërthyer gjithashtu në Francën juglindore dhe në veri të Parisit.
Janë edhe disa vende të tjera të cilat janë goditur nga zjarret si Portugalia, Spanja, Kroacia dhe Hungaria duke djegur shtëpi dhe duke kërcënuar pronat pasi valët e të nxehtit goditën pjesën më të madhe të Evropës me temperatura rekord, në disa zona, duke arritur deri në 45 gradë Celsius.
Pamje nga djegia e pyjeve
Pamje të zjarrikësve