Ky është bypassi i Klosit qe u shërben qindra banorëve të qytetit të Klosit dhe fshatrave përreth për tu lidhur me Rrugën e Arbrit.

Në mes të dy korsive, siç shihet në pamjet me dron të Report TV, gjendet një banesë dy katëshe ku jetojnë 11 anëtarë të familjes Cakoni.

Për turistët ky është një objekt i çuditshëm, që ngjall kuriozitet ndërsa për familjen Cakoni është një makth i përditshëm. Sapo kalojnë pragun e shtëpisë, përfundojnë në rrugë, ku rrezikojnë të përplasen nga makinat.

“Nuk bëjmë gjumë natën, nuk ka qetësi per neve kemi frikë te dalim ne dere me femijë te vegjel nga makinat. I çuditem dhe turistët e huaj ndalohen  ketu dhe bëjnë video dhe foto”, tha e zonja e shtëpisë, Mane Cakoni.

Ajo shprehet se institucionet qendrore e lokale nuk i dhanë asnjë zgjidhje për t’u shpërngulur në 2021 kur u ndërtua rruga e re. I është drejtuar me letër-ankesë ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila e ka shpërfillur.

 “I bëra një kërkesë Ballukut dhe tha se të ka lënë komuniteti yt aty. Ajo s’ka pyet komunitetin kur ka bërë rrugën. Unë jam le e rrit këtu. Asnjë zgjidhje s’na ka dhënë shteti. Po të kishim lek ne do kishim ikur vetë por s’kemi mundësi. Kërkojmë shpronësim.

Mane Cakoni u bën apel institucioneve ta shpronësojnë për tokën dhe shtëpinë, pasi jeta e familjarëve është në rrezik nga dy rrugët që kanë rrethuar banesën.