Misioni Artemis II përfundoi një fluturim historik shtatëorësh pranë Hënës, duke thyer rekordin e mëparshëm të Apollo 13 në vitin 1970 dhe duke kapur imazhe të anës së largët të satelitit tonë.

Pas përfundimit të vëzhgimit hënor, ekuipazhi i Artemis II u përgëzua nga Presidenti Donald J. Trump.

“Sot, ju keni bërë histori dhe e keni bërë të gjithë Amerikën vërtet krenare, jashtëzakonisht krenar. Kemi shumë gjëra për të cilat mund të jemi krenarë kohët e fundit, por kjo është… nuk ka asgjë si ajo që po bëni ju, duke u rrotulluar rreth Hënës për herë të parë pas më shumë se gjysmë shekulli dhe duke thyer rekordin absolut për distancën më të madhe nga planeti Tokë”, u tha Trump teksa i ftoi edhe në Shtëpinë e Bardhë.

Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch, së bashku me astronautin e CSA-së (Agjencia Hapësinore Kanadeze) Jeremy Hansen, vendosën rekordin për distancën më të madhe nga Toka të arritur ndonjëherë nga një njeri, duke tejkaluar distancën e Apollo 13 prej 406,771 kilometrash.

Ndërsa anija kozmike Orion kaloi pas Hënës, ata humbën sinjalin për rreth 40 minuta.

Kur po fluturonin mbi anën e largët të Hënës, ekuipazhi fotografoi dhe përshkroi veçori të terrenit, përfshirë krateret e goditjeve, rrjedhat e lashta të llavës dhe çarje e kreshta në sipërfaqe të formuara ndërsa Hëna evoluonte ngadalë me kalimin e kohës. Ata gjithashtu vunë re ndryshime në ngjyrë, shkëlqim dhe teksturë, të cilat ofrojnë të dhëna që ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë përbërjen dhe historinë e sipërfaqes hënore.

Ekuipazhi përjetoi një “perëndim të Tokës”, momentin kur Toka u zhduk poshtë horizontit hënor ndërsa Orion udhëtonte pas Hënës dhe një “lindje të Tokës” kur anija doli nga ana tjetër e saj.

Ndërsa vëzhgimi hënor përfundoi, ekuipazhi përjetoi një eklips diellor që zgjati pothuajse një orë, ndërsa anija, Hëna dhe Dielli u rreshtuan në një vijë. Me një pamje të Hënës kryesisht të errësuar, ekuipazhi analizoi koronën diellore, atmosferën më të jashtme të Diellit, ndërsa ajo shfaqej rreth skajit të Hënës.

Gjatë eklipsit, ekuipazhi pati mundësinë të vëzhgonte disa fenomene të rralla që janë të dukshme vetëm në pjesën e padukshme të Hënës. Ata raportuan gjashtë shpërthime drite të krijuara nga meteoroidë që godisnin sipërfaqen hënore ndërsa udhëtonin me mijëra milje në orë.

Shkencëtarët tashmë po presin me padurim këto imazhe, së bashku me shumë të tjera të marra gjatë fluturimit pranë Hënës. Pasi të dhënat hënore të shkarkohen nga anija gjatë natës, shkencëtarët do të analizojnë imazhet, audion dhe të dhëna të tjera për të përcaktuar më mirë kohën dhe vendndodhjen e shpërthimeve dhe do të kërkojnë kontribut nga amatorët që po vëzhgonin Hënën në të njëjtën kohë.

Pasi këtij udhëtimi për të cilin s’gjenin fjalë për ta përshkruar, astronautët e Artemis II janë tani në rrugën e kthimit për në shtëpi.

Udhëtimi i kthimit do të zgjasë rreth katër ditë, me uljen në Oqeanin Paqësor, pranë bregut perëndimor të SHBA-ve, që pritet në orën 20:07 sipas kohës lindore të SHBA-ve më 10 prill.

Ekipet do t’i marrin astronautët nga uji me helikopterë dhe do t’i çojnë në një anije të afërt të Marinës Amerikane.

Sipas NASA-s, ata do t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore në bord të anijes ndërsa kthehen drejt Tokës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:14
‘Gjëra që njeriu s’i ka parë me sytë e tij’, ekuipazhi i Artemis II komunikon me presidentin Trump

Trump përgëzoi astronautët e Artemis II për fluturimin e tyre pranë Hënës gjatë një lidhjeje surprizë me ta.

 “Njerëzit në të vërtetë nuk kanë parë kurrë diçka si ajo që po bëni ju. Është vërtet e veçantë”, tha ai teksa më pas i pyeti edhe për shkëputjen e plotë me Tokën që zgjati rreth 40 minuta. Gjatë kësaj kohe, astronautët nuk kishin më sinjal.

Astronauti Victor Glover u përgjigj duke thënë se bëri “një lutje të vogël”, por më pas iu desh të vazhdonte punën për të regjistruar vëzhgimet shkencore të anës së largët të Hënës.

“Ishim të zënë këtu lart dhe po punonim shumë fort, dhe duhet të them se në fakt ishte mjaft mirë,” shton Glover.

“Cila është pjesa më e paharrueshme e kësaj dite vërtet historike?”, pyeti Trump.

Komandanti Reid Wiseman ishte i pari që u përgjigj dhe filloi duke thënë se telefonata nga presidenti ishte “sigurisht shumë e veçantë për të gjithë ne”.

“Pamë pamje që asnjë njeri nuk i ka parë ndonjëherë, madje as gjatë Apollo-s, dhe kjo ishte e jashtëzakonshme për ne,” tha Wiseman.

Ai vazhdoi duke shpjeguar vëzhgimet e ekuipazhit për eklipsin diellor dhe tha se të katër anëtarët kishin komentuar se sa “të entuziazmuar jemi të shohim këtë komb dhe këtë planet të bëhen një specie me dy planetë”, duke iu referuar synimeve për misione të ardhshme drejt Marsit.

Ora 08:07
‘Toka është kaq e ndritshme’, astronautët dëshmojnë eklipsin diellor: E pabesueshme!

Eklipsi diellor

Astronautët e Artemis II patën mundësinë të shihnin edhe një eklips diellor. Victor Glover e përshkroi pamjen si “të pabesueshme” duke dhënë detaje edhe për koronën e Diellit.

“Kjo vazhdon të jetë e pabesueshme. Dielli ka kaluar pas Hënës dhe korona është ende e dukshme, është e ndritshme, duke krijuar një lloj aureole pothuajse rreth të gjithë Hënës. Por kur arrin nga ana e Tokës, është ndriçimi i Tokës që tashmë është i dukshëm.

Dua të them, pothuajse disa sekonda pasi Dielli u zhduk pas Hënës, mund të shihje ndriçimin e Tokës. Toka është aq e ndritshme atje dhe Hëna thjesht qëndron përpara nesh. Kjo sferë e errët përpara nesh tani, jo errësira e plotë, por gri që përzihet dhe zbehet në errësirë. Ne mund të shohim yje dhe planetë pas saj.

Christina është në dritaren një, Reid është në dritaren dy me lentën e gjatë dhe Jeremy po e përshkruan nga dritarja tre. Është një pamje vërtet mbresëlënëse.

Mund të shohësh ende horizontin me një ndriçim më të fortë… aty ku Dielli perëndoi në atë anë të Hënës. Dhe ndriçimi i Tokës është shumë i dallueshëm dhe krijon një iluzion vizual mjaft mbresëlënës.

Uau, është e mrekullueshme.”