E ardhmja e Sylvinhos si trajner i kombëtares shqiptare të futbollit është ende e paqartë. Kontrata e brazilianit me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) skadon në muajin korrik 2026 dhe rinovimi i fundit me gjashtë muaj erdhi në kuadër të grupeve të Kupës së Botës 2026, objektiv që nuk u arrit nga Sylvinho dhe ekipi.
Tanimë zërat nga brenda institucionit të futbollit në vend flasin për një largim të tij, edhe pse diçka e tillë nuk është konfirmuar. Interes për Sylvinhon ka nga disa klube braziliane, teksa konkretisht është përfolur një rikthim i tij te Corinthians (2021-22). Së fundmi klubi brazilian ka bërë një lëvizje që ngre dyshime se Sylvinho mund të ketë dhënë një parapëlqim.
Dje, Corinthians shkarkoi ish trajnerin e kombëtares braziliane, Dorival Junior dhe në vend të tij emëroi Fernando Diniz. Deri këtu çdo gjë është në rregull, por 'kleçka' është te kontrata e firmosur. Corinthians e ka zyrtarizuar Diniz deri në fundin e vitit 2026, pra një kontratë afërsisht tetë mujore, diçka jo e hasur shpesh në futboll.
Ky fakt të lë të dyshosh se klubi brazilian ka një 'opsion B' dhe ky mund të jetë Sylvinho. Kreu i Federatës, Armand Duka, i cili ka të drejtën ekskluzive për të zgjedhur trajnerin e kombëtares shqiptare të futbollit, është ende në pritje; por pas tre vitesh në krye të Shqipërisë duket se Sylvinho e ka mbyllur epokën e tij me kuqezinjtë.
Mosha e tij e re (51 vjeç) bën të mendosh se trajneri do kërkojë një klub ku të trajnojë çdo ditë, për të marrë të plota emocionet e zanatit. Megjithatë të gjitha janë aludime, por lëvizjet e fundit flasin se miqësoret e qershorit (ende të pavendosura nga FSHF) do jenë të fundit për Sylvinhon në krye të kombëtares së Shqipërisë.
Komente








