Një grua rome nga Kosova ka rënë pre e një dhune denigruese dhe shkak besohet të jetë vetëm fakti se ajo është nga komuniteti rom.

Pak ditë më parë ndaj saj u raportua një sulm i bërë në qytetin e Lipjanës, ku disa persona e kishin rrahur. Por dhuna për shkak të racizmit duket se nuk përfundoi me aq për të , pasi ditën  e sotme ajo është sulmuar përsëri. Këtë radhë në qytetin e Ferizajt.

Media kosovare kanë publikuar edhe videon në momentin ku një person i afrohet dhe e qëllon fuqishëm në kokë. Kjo goditje e duket se e lë pa ndjenja gruan në fjalë, ndërsa në video shihet se ajo thjeshtë po ecte në rrugë kur u sulmua nga pas.

Kujtojmë se sulmet ndaj gruas në fjalë janë nxitur edhe nga disa lajme të pavërteta 'Fake Neës' të shpërndara në disa portale ku thuhej se gruaja në fjalë është transgjinore dhe rrëmben fëmijë.

Një reagim ka ardhur edhe nga Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (RROGRAEK).
Në reagim thuhet se janë tejet të shqetësuar lidhur me rastin e gruas nga komuniteti rom, e cila sot u sulmua sërish, në qytetin e Ferizajt.

RROGRAEK konsideron se kjo që po ndodh me gruan rome, është tejet serioze, pasi ajo u sulmua edhe pse një ditë më parë u mor në mbrojtje nga policia e Kosovës.

Ndërkohë për rastin në fjalë është arrestuar një 17-vjeçar i cili akuzohet se është personi që ka goditur gruan në video.

Reagimi i plotë:

Sado që kishte reagime dhe protesta kundër sulmeve raciste ndaj gruas rome, e cila u lincua dhe u sulmua vetëm pse i përket këtij komuniteti, nepërmjet medieve, sot u njoftuam se e njejta, në Komunën e Ferizajt, është sulmuar sërish nga të rinjë huliganë. Përmes kësaj kumtese Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)  shpreh shqetësim për mungesën e mbrojtjes ndaj saj, përgjegjësi kjo e organeve të rendit dhe të sigurisë.

Nga informatat e marra nga deklaratat mediale të Policisë së Kosovës, kuptuan se kjo grua është riatdhesuar në vitin 2011 nga Belgjika. Kujtojmë se ajo nuk i njeh gjuhët lokale dhe kjo mund të paraqesë rrezik shtesë për jetën e saj.

Andaj, ju bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të gjejnë një vend të sigurtë për këtë grua, ku ajo mund të qëndrojë këto ditë, derisa të qetësohet situata, si dhe derisa ushtruesit e dhunës ndaj saj të japin përgjegjësi tek organet kompetente. Ne besojmë fuqishëm që nëse do të kishte reagim të duhur ditë më parë, kur ajo u sulmua fillimisht në Lipjan, dhe nëse sulmuesit e saj do të ballafaqoheshin me drejtësinë, atëherë do të përcillej mesazhi se vendi ynë nuk toleronon dhunën e aq më pak dhunën që ka për bazë përkatësinë etnike të një qytetari/eje.

Tutje kërkojmë edhe nga Prokuroria e Shtetit të ndërmarrë veprime urgjente në hetimin dhe procedimin e rastit në përputhje me Nenin 141 të Kodit të ri Penal të Kosovës për të dy sulmet ndaj gruas rome në fjalë. Në përputhje me këtë nen kushdo që nxit urrejtje dhe publikisht ushtron gjuhën e urrejtjes, përçarjes apo edhe mos-durimit duhet të përgjigjet para ligjit. Si shoqëri duhet të dalim me mesazh të qartë së këso forma të dhunës dhe nxitjes së urrejtjes nuk duhet toleruar në asnjë mënyrë.

U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim moshe, përkatësie etnike, identiteti gjinor apo orientimi seksual që të reflektojnë mbi rolin tonë si qytetarë në respektim dhe mbrojte të dinjitetit të njëri-tjetrit, dhe se bashku t’i ndëshkojmë sulmet raciste, homofobike dhe sulmet që kanë për qëllim ta dëmtojnë dinjitetin e një individi.