Agjencia iraniane e lajmeve Mehr ka publikuar një video ku shfaqet lideri suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, në një kohë kur në rrjetet sociale po qarkullojnë spekulime për gjendjen e tij shëndetësore.
Në video, të publikuar në kanalin e Telegramit dhe në faqen zyrtare të Mehr, Khamenei shihet duke biseduar me një grup njerëzish. Agjencia nuk ka bërë të ditur se kur dhe ku janë regjistruar pamjet, ndërsa nuk ka identifikuar as personat që ndodhen pranë tij.
Publikimi i videos vjen pasi në rrjetet sociale dhe në disa raportime u pretendua se Khamenei ishte shtruar në spital dhe se gjendja e tij shëndetësore ishte e rëndë. Deri tani, këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Mojtaba Khamenei u zgjodh lider suprem i Republikës Islamike në mars të këtij viti, pasi babai i tij, Ajatollah Ali Khamenei, u vra më 28 shkurt, në ditën e parë të sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.
Që nga marrja e detyrës, ai nuk ishte shfaqur në publik, ndaj publikimi i kësaj videoje ka tërhequr vëmendje.
Ndërkohë, disa llogari iraniane në rrjetet sociale pretendojnë se pamjet nuk janë të reja, por janë regjistruar gjatë një prej ligjëratave të mëparshme të Khameneit në Kom. Si argument, ato përmendin faktin se mediat iraniane nuk kanë bërë publik datën dhe vendin e regjistrimit.
Po ashtu, disa komentues kanë hedhur dyshime se publikimi i videos mund të jetë një përpjekje për të zbutur spekulimet rreth gjendjes shëndetësore të liderit suprem. Megjithatë, edhe këto pretendime mbeten të pakonfirmuara në mënyrë të pavarur.





Komente
Komento