Kryeministri Edi Rama vizitoi “Vilën 31" ku një ditë më parë u hodhën bomba molotov dhe fishekzjarre nga protestuesit. Në godinë ndodheshin edhe artistët e huaj.
Rama shkoi të shihte nga afër jo vetëm dëmet e shkaktuara nga protestuesit, por edhe për të biseduar me artistët. Kryeministri u largua pas 20 minutash.
Në këtë vilë që sot shërben si qendër kulture me emrin ArtExplora, strehohen artistë nga e gjithë bota. Artistët alternohen çdo tre muaj. Në këtë periudhë janë të paktën 8 të tillë, nga 6 vende të ndryshme të botës, që banojnë e punojnë në këtë rezidencë.
Në momentin e sulmit nga molotovët, i cili ishte edhe përmbyllja e protestës së PD, ndodheshin 7 artistë brenda godinës dhe 3 persona të tjerë, pjesë e stafit, të cilëve iu rrezikua seriozisht jeta. Artistët u terrorizuan, ndërsa vetë policia nuk e kishte parashikuar dot këtë skenar dhe nuk kishte marrë masa. Me ndihmën e tyre, artistët arritën të dilnin pa lëndime.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama pasi ka dalë nga rezidenca e artistëve në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, është shprehur se artistët ishin të traumatizuar nga sulmet e mbrëmjes së djeshme me molotovë nga militantët e Sali Berishës.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Rama është shprehur se gjykatat që i lirojnë militantët e dhunshëm të Berishës, janë përgjegjës për këto vandalizma që sipas tij nuk ndodhin askund në Europë.
P.J/R.Xh/Shqiptarja.comReagimi i Ramës:
Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjoz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme.
Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush!
Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë me bekimin e nën hyqmin e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale!
Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj!








