Në tubimin e përjavshëm (Foltoren) të thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha është vënë re një prezencë tejet e ulët e numrit të të pranishmëve.

Nga pamet me dron të siguruara nga Report TV, vihet re se në sheshin para godinës së Kryeministrisë, Berishës i janë bashkuar vetëm një grusht militantësh.

Kjo rënie e ndjeshme e numrit të ‘ithtarëve’ që i bashkohen tubimeve të Berishës vihet re nga java në javë, duke bërë që të pranishmit në shesh shpesh të numërohen edhe me gishtat e dorës.

Duke parë këtë trend në rënie të numrit të të pranishmëve, Berisha e ka zhvilluar foltoren ditën e sotme në orën 19:00, pra e ka shtyrë me 1 orë. Kjo pasi tashmë që ora është ndërruar, në orën 18:00 nuk ka errësirë që të mund të mbulonte dështimin e tubimeve të Berishës.

Një nga shkaqet kryesore të numrit të ulët të pjesëmarrësve në protesta është edhe dhuna dhe hedhja e molotovëve gjatë protestave të PD-së, të cilat kanë krijuar panik dhe pasiguri te të pranishmit.