Pamundësitë e Berishës

Pamundësitë e Berishës

Sali Berisha

Sali Berisha, ka 1001 arsye, për të patur të pamundur rikthimin në krye të Partisë Demokratike, ashtu siç e ka krejt të pamundur mbajtjen e atij posti qoftë edhe 24 orë. Ajo ç’ka po bën Doktori sot, mund të quhet pa frikë një “grusht shteti” brënda asaj partie, e cila edhe pse e cfilitur, edhe pse e shqyer nga të katër anët, duket sikur nuk jepet.Ish-kryetari dhe ish-kryeministri Berisha, ka dhënë shembullin më të keq, në lëvizjen e tij “Foltorja”, aq sa asaj partie do ti duhen ndoshta edhe 30 vjet të tjera të rimëkëmbet.

Berisha e di fare mirë se, edhe pse ka mbushur sallat dhe kinematë e disa qyteteve me ithtarë dhe fanatikë, edhe pse nga podiumi i tyre ka deklaruar dhe akuzuar pasardhësin e tij, edhe pse së fundi deklaroi se “Kuvendin do të mblidhet në 11 Dhjetor”, sërish ai e ka të pamundur. E ka të pamundur të shkarkojë Bashën, e ka të pamundur të legjitimojë Kuvendin, e ka të pamundur të bëhet edhe njëherë “dhëndër”, e ka të pamundur të ribashkojë partinë, e ka të pamundur të rehabilitohet në faktorin ndërkombëtar, e ka të pamundur të hyjë në zgjedhje me ithtarët e tij, e ka të pamundur të kontrollojë strukturat dhe bazën e asaj partie,  e ka të pamundur të sigurojë njohjen politike të rizgjedhjes së tij, në shkallë vendi  dhe jashtë tij, etj, etj.

Pra llogaritë Berisha i ka bërë ose gabim (që nuk ndodh) ose ka vendosur të shkojë deri buzë greminës bashkë me pronën e tij, që e quan Partia Demokratike. Një politikani me klas, largpamës, i sprovuar dhe i rrahur me betejat e skutave, nuk i falet të bëjë aventura të tilla. Ajo ç’ka Berisha bëri pas vendimit të Bashës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar, mund të quhet lajthitja më e madhe e një politikani në prag pleqërie. Thuhet se kur plaken politikanët, bëhen më konstantë, më të matur më të “urtë”, më të përgjegjshëm, më të lakmueshëm, nga të cilët mund të marrin këshilla më të rinjtë.

Sforcimi i Sali Berishës, tregton pamundësinë e tij, tregon pandryshmërinë e tij, tregon  dhe dobësinë e tij, ndaj vesit që e ka mundur dhe shoqëruar gjithë vitet e të qenit politikan. Ai e trajton vehten  dhe partinë sikur të ishin “një dhe të pandarë”, (si Enveri dikur) duke mos e pranuar faktin më të rëndësishëm për një politikan karriere se, “koha juaj mbaroi”. Berisha  gjithsesi ka menduar për këtë ditë.Ndoshta nuk e kishte menduar se një Lulzim Basha, që e mori  të “rekomanduar” i dha gjithçka dhe  e bëri kryetar, një ditë do ti bënte “gjëmën”, dhe do ta flakte nga partia. Por politika i ka këto sakrifica.

Politika nuk e njeh nostalgjinë. Në politikë të bëjnë ty, ç’ke bërë ti me të tjerët. Ndoshta këtë Berisha e kish harruar. Dhe kjo është një tjetër pamundësi  e tij, për tu rikthyer atje ku ishte 8 vite më parë. Identifikimi i përvjetorit të partisë me datën e Kuvendit të “Foltores”, është një tjetër lajthitje e ish-kryetarit, i cili kërkon të rihapë historitë e vjetra, duke menduar se do të “kurorëzohet” edhe njëherë kryetar PD-je. Në 30 vite, Berisha i ka veshur vehtes mantelin e “themeluesit, krijuesit, përçuesit, udhëheqësit të madh  të demokracisë”, ndërkohë që me gabimin që po bën, ndoshta 11 Dhjetori mund ti kthehet në boomerang, për ta njollosur përfundimisht  si dështak dhe manipulator.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë