/ATSH-Z.Tosku/-Panairi "Edukimi Jashtë Shqipërisë" , që përbën një nga zhvillimet më të mëdha në vend rreth konsultave të këtij lloji në Evropën Juglindore, përmbylli me sukses punimet e datave 27 dhe 28 mars në Hotel Rogner.
Këtë vit panairi numëroi rreth 3000 studentë pjesëmarrës, të cilët morën informacion dhe këshillim të mëvetshëm për mundësitë dhe prioritetet e studimit jashtë vendit dhe në disa prej institucioneve më në zë të arsimit në Perëndim.
Me një sukses në rritje me prej 1000 pjesëmarrësish krahasuar me 2014, ky aktivitet u organizua nga Integral Group.
Ndër institucionet e huaja arsimore ishin pjesëmarrëse aktive shkolla nga Britania e Madhe, SHBA-ja, Gjermania, Zvicra, Holanda, Belgjika, Spanja, Italia, Portugalia, Greqia etj. Gjithashtu, zyrtarë të lartë nga përfaqësitë diplomatike në Shqipëri vizituan panairin dhe takuan institucionet nga vendet përkatëse.
Mbi 120 organizata arsimore vizituan Shqipërinë gjatë këtyre 5 viteve falë Panairit dhe zyrës mbështetëse Integral Educational Programs. Mbi 6000 vizitorë përfituan nga informacionet te ofruara nga panairi, nga të cilët mbi 1000 u regjistruan në një program jashtë vendit.
Gjithashtu, e veçantë e aktivitetit të sivjetshëm ishin uljet e veçanta të shkollave verore që shërbejnë për përgatitjen e studentëve për aplikim dhe/apo vijim të suksesshëm të studimeve në disa prej institucioneve më të mira të edukimit ndërkombëtar.
Qëllimi kryesor i projektit në zbatim nga viti 2003, është informimi i të interesuarve për prirjet më të reja të edukimit jashtë vendit dhe promovimi i aspekteve novatore të strukturës të institucioneve arsimore të mesme dhe të larta.
Mbi këtë aktivitet, Svetlan Danev, organizues i projektit, tha se ndjekja e karrierës së ëndrrave është e lidhur ngushtë me arsimin përkatës. "Dhënia e informacionit kyç dhe udhëzimi përgjatë hapave të procesit të aplikimit janë ato që bëjnë ndryshimin; përvoja jonë dhe e studentëve të shumtë janë dëshmi për këtë", theksoi ai.
Danev vuri në dukje besimin dhe rezultatet faktike se arsimimi i duhur është investimi i jetës. "Ndaj objektivi ynë parësor është të vëmë në dispozicion të gjithë informacionin më të përditësuar për shkollimin jashtë vendit", njoftoi ai.
Që nga viti 2003 këto aktivitete kanë grumbulluar një numër të madh të rinjsh, të interesuar për ndjekjen e studimeve të mesme apo të larta në institucionet e njohura ndërkombëtare.
Gjimnazet dhe universitetet partnere të Integral, zbatojnë bursa të posaçme për studentët shqiptarë , nga të cilat shumë studentë kanë përfituar gjatë viteve të fundit.
Ndërkaq, për ata që nuk kanë mundur ende të vendosin për studimet e tyre jashtë vendit, kanë akoma mundësi deri në fund të muajit Prill të vendosin për programin e preferuar të tyre