Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala
PRISHTINE, 27 Korrik / ATSH / - Mbrëmë në Ulqin është hapur Panairi i Librit ku morën pjesë personalitete të shumta të jetës politike, institucionale e kulturore të Malit të Zi, Kosovës dhe Shqipërisë.
Në këtë ngjarje të madhe për kulturën dhe librin shqip në Mal të Zi, mori pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosoves, Kujtim Shala, i cili në ceremoninë e hapjes së panairit, ndër të tjera përmendi nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit ndërkulturor mes hapësirave shqiptare.
Ministri Shala në fjalën e rastit vuri theksin te nevoja që të forcohet kultura e leximit, dhe në këtë drejtim, panairet luajnë një rol të rëndësishëm. "Ky panair është një takim krijuesish, takim me libra të rinj, libra të traditës e të të gjitha fushave, si dhe promovon rritjen e kulturës së leximit, e cila është domosdoshmëri për një shoqëri modern", tha Shala.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala
Po ashtu, ministri Shala theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërkulturor mes shqiptarëve, sidomos pjesëmarrjen e botuesve nga të gjitha trevat shqiptare në ngjarje të tilla si kjo "sepse në këtë mënyrë forcohet komunikimi kulturor ndërshqiptar dhe përpjekjet e përbashkëta drejt integrimit", shtoi Shala.
Në këtë funksion të objektivi, ministri Shala tha se "Qeveria e Kosovës ka iniciuar arritjen e një Marrëveshje me Malin e Zi, në funksion të shtimit dhe të bashkërendimit të aktiviteteve kulturore ndërmjet dy vendeve, por dhe të formalizimit të raporteve, për t'i bërë ato institucionale, më sistematike dhe më të dobishme."
/k.m/ /a.ke/