Panairi levizes ne Shkoder. Foto G.Marku
SHKODËR, 28 Qershor/ATSH-Gaspër Marku/- Panairi Kombëtar Lëvizës, i pari i këtij lloji në vendin tonë që organizohet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Panaireve, ka mbërritur edhe në Shkodër. Pavionet përkatëse të bizneseve shkodrane, si dhe ato nga rrethet e tjera të vendit, të ekspozuara në sheshin qëndror të qytetit, do të vijojnë të qëndrojnë të hapura në shërbim të vizitorëve për tre ditë me radhë. Zv.ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Brunilda Paskali, në ceremoninë e hapjes së panairit vlerësoi bizneset e shumëllojshme të paraqitura në këtë panair, siç janë ato artizanale të grave duararta të Shkodrës dhe ashtu edhe ato prodhime që janë për eksport. Për Paskalin, kjo përvojë e parë e organizimit të panairit lëviz, ishte shumë e suksesshme, sepse na ofron afër bizneseve dhe konsumatorit, na bën që të shikojmë nevojat që kemi ndaj njëri tjetrit dhe të njihemi më mirë me njëri tjetrin.
Brunilda Paskali, zv/ministre e ZHETS Foto G.Marku
"Është panairi i fundit për këtë moment të sezonit që mbyllim pas atyre të mëparshëm në qytetin e Vlorës, vazhduam me Beratin, në Korçë, dhe për hirë të së vërtetës kudo që kemi qënë ka pasur organizime shumë të mira, por ky i Shkodrës, duhet thënë se ishte si të thuash, "qershia mbi tortë", pasi gjithçka ishte perfekte.", citoi në fjalën e saj, Paskali. Sipas saj, nuk mund të mungonte një panair i tillë, në Shkodrën e kulturës, Shkodrën e artit.
Në të njëtën kohë, Paskali, tha se mënyra e përzgjedhjes për ta bërë këtë panair në fund të muajit qershor, përkon më së miri me fillimin e sezonit turistik, me atë çka ne duam të bëjmë të njohur edhe për turistët, jo vetem për vendasit Paskali informoi se pas katër panaireve të zhvilluara në qarqet e ndryshme të Shqipërisë, shumë shpejt, ministria që ajo përfaqëson do të organizojë një panair përmbledhës në Tiranë.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Panaireve, Elisabeta Katiaj, theksoi se, "ky panair është në shërbim të gjithë biznesit vendas, në shërbim të promovimit të "Made in Albania", duke qënë se produktet tona konkurojnë në nbarë boten dhe në Europë me të gjitha standartet ndërkombëtare, ndërkohë që tani po udhëtojmë me "Made in Albania", nëpër Shqipëri".
Për prefektin e Shkodrës, Paulin Radovani, ky panair, i cili vjen menjëherë pas marrjes së statusit kandidat për Bashkimin Europian, është një tregues mjaft i mirë për atë që edhe ne kemi se çfarë t'i tregojmë Europës së bashkuar në këtë drejtim.
Prefekti i Shkodres, Paulin Radovani Foto G. Marku
"Në veçanti për prodhimet bujqësore, sepse për ato industriale, prej vitesh e ka markën e duhur me prodhimet "Made in Albania". Pra, një sinjal që tregon që edhe ne mundemi të përfaqësohemi denjësisht në Europë dhe më gjërë", tha Radovani. Sipas tij, pas stemës "Made in Albania", qëndron puna e qindra e mijra grave dhe burrave që punojnë në këtë drejtim, si dhe bizneseve përkatëse.", tha Radovani. Ndërkohë, duke iu referuar panairit në fjalë, ai tha se "tashmë çdo ditë e më tepër, organizimi i këtyre panaireve ka filluar të jetë shumë i domosdoshëm, me qëlim ekspozimin e prodhimeve tona, sidomos ato që janë të destinuara për eksport./a.gjonaj//a.ke/