TIRANË - Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, u shpreh se, sektori i bujqësisë pritet të shënojë një rritje prej 5% gjatë vitit 2015, nga 3% që ishte një vit më parë.
Në një prononcim për mediat, ministri Panariti tha se, gjatë vitit 2015 vëmendje e veçantë do t'i kushtohet zgjerimit të sipërfaqeve me sera, rritjes së standardeve të prodhimit dhe eksporteve sidomos me vendet e BE-së.
Një ndër problemet e bujqësisë shqiptare është përmbytja e tokave nga reshjet e shiut, e pikërisht për këtë ministri Panariti deklaroi se për 2015 do të dyfishohen fondet për kullimin  e tokave.
"Ky problem ka dy anë, ka anën e shtimit të përpjekjeve tona për zgjerimin e rrjetit  së kanaleve kulluese dhe nga ana tjetër ka çështjen e mirëadministrimit", u shpreh ministri Panariti.
Gjatë vitit që lamë pas, sektori i bujqësisë u ndesh me një sërë vështirësish siç ishin përmbytjet, sëmundjet e bimëve dhe kafshëve, por edhe probleme me eksportin dhe importin e produkteve. /ATSH/