TIRANE - Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, gjatë takimit me homologun e tij të Emirateve të Bashkuara Arabe kërkoi mbështetje për financimin e projekteve për shfrytëzimin e burimeve energjetike dhe rehabilitimin e Lumit të Lanës.

Gjatë takimit dypalësh ministrat vlerësuan bashkëpunimin midis dy vendeve dhe i hapën rrugën marrëveshjeve në fushën ekonomike.

Më parë Panariti mori pjesë në konferencën e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Rinovueshme.

Në fjalën e tij gjatë konferencës ai e vuri theksin tek shfrytëzimi i energjisë së rinovueshme në vend.

“Është përgatitur një kuadër ligjor, në përputhje me standardet e BE, i cili synon nxitjen e shtimit dhe përdorimit të burimeve të energjisë së rinovueshme”,tha Panariti.

Ai shtoi se qeveria shqiptare ka një vizion për masat që duhet të merren për përballimin e sfidave energjetike.

Në fushën e transportit, Ministri Panariti propozoi vendosjen e linjës së fluturimit mes Tiranës – Podgoricës dhe Dubait e cila do të lehtësonte kontaktet mes tre vendeve.

Nga ana e tij Ministri Al Nahyan vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve dhe i siguroi Panaritit thellimin e marrëveshjeve në ekonomi, arsim dhe transport.

Në përfundim të takimit Ministri Panariti e ftoi Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara për një vizitë në Shqipëri e cila u pranua me kënaqësi.

Redaksia Online
(g.a/Shqiptarja.com)