TIRANE - Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti ka shfrytëzuar konferencën e përbashkët që pati pas takimit me homologun e tij malazez, Igor Lukshiç, për të siguruar se ambasadat shqiptare të akredituara në botë do të funksionojnë normalisht, pavarësisht se pranon se buxheti është në vështirësi.

Deklarata e ministrit Panariti, vjen si reagim për letrën e ambasadorit shqiptar në SHBA, Gilbert Galanxhi për sekretarin e përgjithshëm të institucionit, se ambasada atje ndodhej në krizë dhe se nuk kishte buxhet për të përballuar mbijetesën e saj.

“Më lejoni t’ju siguroj se shumë vende po mbyllin përfaqësitë diplomatike për shkak edhe të krizës. Me lejoni t’ju garantoj se Ministria do garantojë funksionimin normal të ambasadave natyrisht duke pasur më përparësi qendrat kryesore si SHBA dhe Bruksel. Nuk ka nevojë për panik. Shqetësimet për probleme në buxhet i kam bërë të ditura dhe kam pasur mbështetjen e dy kaheve politike. Problemi kërkon zgjidhje ndërinstitucionale, problemi është transparent. Jemi të hapur dhe nuk kemi gjë për të fshehur”, -deklaroi Panariti.

Duke iu referuar faktit të përmendur në letrën e ambasadorit, se nuk kishte fonde për të siguruar jetesën e përditshme të diplomatëve e jo më funksionet diplomatike, diplomati shqiptar tha se problemet që ka pasur me buxhetin janë deklaruar dhe pritet zgjidhje institucionale e tyre.

Redaksia Online
(sg/shqiptarja.com)