TIRANE- Aktivistët e Aleancës Kuq e Zi sot në mëngjes e pritën me protesta ministrin e Jashtëm Edmond Panariti në aeroportin Nënë Tereza. Ministri i Jashtëm sot në mëngjes u kthye nga vizita zyrtare 3 ditore në Greqi e më pas në Qipro.

Vizita e së mërkurës (3 tetor) në Athinë, u shoqërua me një incident gjatë konferencës së përbashkët të dy ministrave të Jashtëm Edmond Paraniti dhe Dimitris Avramopulos, ku flamuri shqiptare ishte vendosur përmbys, shqiponja me kokë poshtë.

“Panariti person non grada. Poshtëroi flamurin kombëtar në Athinë”- ishin thirrjet e aktivistëve të AK të cilit ishin vendosur përpara terminalit të aeroportit dhe mbanin në dorë pankarta kundër ministrit Panariti. Ata shprehen dhe kundër bisedimeve të ministrit në Greqi për paktin detar. “Dorëzimi i detit, tradhti kombëtare”.

Mësohet se Panariti ka shmangur protestuesit duke u kthyer në Tiranë nga aeroporti “Nënë Tereza” përmes rrugës së vjetër jo nga aksi i ri Rinas Tiranë.

Ndërkohë që në orën 13:00 ministri ka njoftuar për një konferencë shtypi ku do të informojë mbi vizitën në Greqi dhe Qipro.
(sg/shqiptarja.com)