Cënimi i sigurisë ushqimore do të ndëshkohet si vepër penale. Ka qenë kjo deklarata e ministrit të bujqësisë Edmond Panariti.
 
Ai ka bërë një paralelizëm me raste kur ndodh një ngjarje kriminale në vend ku sipas tij, ashtu si kurse policia vë shiritat në vendin e krimit ashtu do të bëjnë edhe inspektoriatët e AKU në vendet ku do të ketë cënim të sigurisë ushqimore.
 
Gjatë ditës së sotme Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit janë pajisur me kartat e inspektorit. Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dhe kreu i Inspektoriatit Qendror Shkëlqim Hajdari kanë shpërnadrë kartat e nevojshme, si pjesë e masave për inspektimet online.
 
Në fjalët e tij, Panariti ka deklaruar se analizat duhet të jenë korrekte, në të kundër inspektori që ka firmosur do të mbajë përgjegjësi ligjore. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se analizat duhet të shkojë të paidentifikuara se cilit biznes i përkasin pasi vetëm në këtë mënyrë shmanget konflikti i interesit.
 
“Sot ne i japim inspektoriatit të ushqimit, një rëndësi të veçantë. Inspektori përgjigjet me ligj për garantimin e sigurisë ushqimore. Punojmë me ndershmëri dhe analizat e mostrave në laboratore duhet të shkojnë të paidentifikuara për të shmangur konfliktin e interesit. Analizat duhet të jenë korrekte dhe ai që bën dhe firmos analizat ka përgjegjësi ligjorë”, u shpreh Panariti.
 
Sipas Panaritit pajisja e inspektorëve me karta i bën ata më të fortë dhe të paprekshëm nga presioni i biznesit. 

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)