Dhoma e Avokatëve ka vendosur që prej së hënës të ndërpresë bojkotin e avokatëve që vijonte prej 2 muajsh për shkak të rregullores censuruese të Gjykatës së Posaçme. Kreu i Dhomës, Maks Haxhia, tha se paralelisht është ngritur grupi i punës që do të vijojë me padinë në Apelin e Administratives.
“Sot na u vu në dispozion vendimi i Administratives së Apelit dhe masa provizore është që bojkoti të pezullohej. Në këto kushte, ky organ vendimmarrës, i bëmë prezent gjithë situatën, përpjekjet tona për zgjidhjen e këtij konflikti dhe Dhoma e Avokatisë ka qenë që në ditët e para, kemi qenë dh ejemi që çdo gjë të zgjidhet me mirëkuptim e bisedime. U përdor autoriteti i karriges dhe sështë mirë që në këtë vend kaq të vogël të ndiqet me imponimin e autoritetit të karriges. Duke qenë përpara këtij realiteti, Këshilli i Përgjithshëm vendosi që në zbatim të këtij vendimi, të ndërpresë për shkak të ecurisë së këtij vendimi, të ndërpresë bojkotin duke filluar nga dita e hënë. Ndërkohë Këshilli përcaktoi edhe grupet e punës që do të paraqesin ankimin. Në emër të Dhomës do të paraqesë padi për pezullimin dhe shfuqizimin e rregullores”, tha Haxhia.
Gjobat që GJKKO u ka vendosur avokatëve për shkak të bojkotit kanë arritur në 25 milionë lekë, të cilat avokatët i kanë ankimuar.
“Vlera e gjobave ka ikur maksimalisht dhe ishte një mënyrë sjelljeje jo korrekte sepse avancoi nga gjobat në kërcënime penale. Gjobat kanë arritur një masë rreth 250 mln lekë (të vjetra), që ne e kemi kundërshtuar në rrugë ligjore në seancë. Pastaj do të shkojmë në Gjykatën e Apelit të GJKKO dhe nëse janë vënë në zbatim, do të ndjekim rrugën e kundërshtimeve përmbarimore duke kërkuar që të zbatohet procedura e nxjerrjes së urdhrit, por duke pezulluar edhe veprimet përmbarimore”, tha avokati.
Rruga që tanimë do të ndjekin avokatët do të jetë kërkesa për shfuqizimin dhe pezullimin e neneve që cenojnë profesionin e tyre.
“Ne do të përdorim të njëjtën logjikë si GjKKO, duke kërkuar shfuqizimin e neneve që cenojnë ushtrimin e profesionit të avokatit, njëkohësisht edhe pezullimin. Kjo gjykatë vetëm të jetë e papërgjegjshme mos ta pranojë se e ka krijuar precedentin vetë”, u shpreh Haxhia.
Propozimet e kreut të GJKKO, Erion Banit për ndryshime në ligjin për avokatinë, Haxhia i quan “skema presioni” dhe do të kundërpërgjigjen me propozimet e tyre.
“Skema presioni! Në të gjithë botën, profesioni i avokatit është i lirë. Institucioni i avokatisë është i garantuar dhe i rregulluar me Kushtetutë. Vetëm 10 ditë më parë, Kuvendi miratoi Konventën për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit që në funksion të saj do të paraqesim një sërë propozimesh për rregullimin e ligjit të funksionit të avokatit. Ne nuk po e kërkojmë celularin apo tabletin për të krijuar vështirësi, por për të realizuar me efektivitet të drejtën e mbrojtjes”, tha Haxhia.
Me vendimin për t’i dhënë fund bojkotit, kapërcehet ngërçi që kishte sjellë shtyrjen e një sërë seancash gjyqësore për çështjet ‘Partizani’, Meta-Kryemadhi, ‘Sterilizimi’ apo Veliaj.






Komente
Komento