Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti kërkon nga qeveria që në paketën e ndihmës ekonomike anti covid të përfshihen edhe fermerët.
Në një status në Facebook, Panariti thotë se Shqipëria mbetet vendi i vetëm në rajon dhe Evropë që nuk përfshinë bujqësinë në këto paketa.
"Paguani prodhuesit, paguani fermerin! Ulini taksat dhe tatimet për prodhimin tonë bujqësor përpara se të jetë vonë! Mbetemi vendi i vetëm në rajon dhe Evropë, që nuk përfshin bujqësinë në paketën anti covid.
Duke rrezikuar shumë, sigurimin e ushqimit të përditshëm, përballë një kolapsi dhe paralize të mundëshme të tregtisë ndërkombëtare këtë vjeshtë e dimër. Patatja e Korçës, po flaket sepse nuk financohet! Prandaj ajo nuk është konkuruese me importin dhe shkon dëm", shkruan Edmond Panariti.
Ish-ministri merr shembullin e fermerëve të Kosovës, që sipas tij në kushte normale paguhen me 300 euro për hektar patate.
"Kosova i paguan fermerët e saj në kushte normale me 300 euro për hektar patate. Pa llogaritur paratë shtesë për paketën e koronavirusit. Ndërsa ne i japim fermerit tonë zero. Me ato para fermeri i Kosovës, mbulon koston e punimit të tokës dhe plehërimit të saj del në treg shet patatet dhe krijon të ardhura. Nuk ka shanse fermeri ynë që ta konkurojë sepse detyrohet të shesë nën kosto nga që nuk financohet. Pra i bie më lirë ta flakë prodhimin buzë kanalit. Edhe më keq është situata për qumështin. Një fermë blegtorale me 300 lopë në Kosovë, paguhet subvencion deri në 30 mijë euro në vit. Ndërsa ne në rastin më të mirë japim 1000 euro. Prandaj fabrikat tona punojnë me qumësht importi. Prandaj 1 litër qumësht importi shitet në markete me 90 lek ndërsa qumështi shqiptar nuk mund të dalë poshtë 120 lekë. Pa përmendur këtu që mbajmë një tatim asiksues prej 20% mbi prodhimin vëndas.
Më të lartin në rajon!
Kur Amerika e ka 6%!
Dje Departamenti Amerikan i Bujqesise, vendosi tu blejë fermerëve amerikanë 2 miliardë dollarë prodhime për ti futur te rezervat (bankat) e ushqimit. Po përgatiten për më të keqen.
Ne e kemi lënë bujqësinë dhe fermën në rënie të lirë duke rrezikuar të na zërë të gjithë përfund", mbyll reagimin e tij Edmond Panariti.