Albanian Food Industry (AFI) i ka kushtuar një studim sigurisë ushqimore në vend, duke ngritur shqetësimin se analizat laboratorike kanë nxjerrë një sërë problemesh për pesë produkte ushqimore si mish, qumësht, fruta perime, lëngje si dhe vaji. Shqetësuese ishin përgjigjet e analizave për qumështin i cili rezultoi me përmbajtje aflatoksine, një substancë kancerogjene dhe mishit me salmonelë dhe ngjyrues.  
 
Lidhur me këto analiza ka reaguar sot ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti i cili në lidhje telefonike për Report Tv kërkoi tërheqjen e këtyre produkteve ushqimore nga tregu, pasi përbëjnë një rrezik real për shëndetin e konsumatorëve. Ai theksoi se nëse rezultatet e analizave janë të vërteta, jemi përpara një megaskandali, ndërsa shtoi se autoritetet duhet të verifikojnë gjetjet, duke mospërjashtuar edhe pistën e një mashtrimi, njësoj si në vitin 2012, kur sipas ish-ministrit industria vendase e qumështit u penalizua padrejtësisht. 

"Studimi ka dalë 3-4 ditë më parë, i sponsorizuar nga AFI, një OJQ e cila ka bërë një investigim për sigurinë ushqimore në tregun shqiptar për produktet që prodhohen këtu ose vijnë nga importi. Sipas studimit, një pjesë e produkteve janë të falsifikuara ose të ndotura. Por maja e ajsbergut, problemi më i rëndë është prania e aflatoksinës, që shkakton me shumë probabilitet kancer te konsumatorët, nëse ata e marrin atë në mënyrë të pavetëdijshme përmes ushqimeve. Qumështi dhe nënproduktet e tij përmbajnë aflatoksinë. Nëse analizat janë bindëse, të kryera me metoda bashkëkohore dhe me laboratorë të referencës, mbetet për t'u parë. 

AKU dhe Ministria e Bujqësisë të bëjnë publike rezultatet e analizave dhe të bllokojnë subjektet e prodhimit dhe të heqin nga tregu qumështin, të bllokojnë të gjithë linjat e prodhimit. Të investigojnë nëse këto analiza janë autentike, apo virtualisht mos kemi të bëjmë me një megamashtrim i cili për hir të së vërtetës ka ndodhur edhe më përpara dhe ka hedhur në gjunjë industrinë shqiptare të qumështit. AKU është i dënuar me vendim të formës së prerë me një vendim 2 mln dollarëshe për stisjen e një skandali për qumështin. 

Propozoj të përfshihen në këtë studim edhe institucione ndërkombëtare analitike, për të zbuluar të vërtetën dhe për t'i dhënë fund një kalvari i ciil po penalizon qumështin dhe produktet ushqimore shqiptare. Të mbyllet një histori që vijon nga viti 2012, ishte një bllok i paparë që rrëzoi industrinë shqiptare të qumështit, për të shkatërruar industrinë shqiptare të qumështit. Mundet që këto analiza të jenë të sakta, por duhen sqaruar njëherë e mirë"
, tha Panariti. 

Ish-ministri i LSI ngriti shqetësimin edhe më herët përmes një statusi në rrjetet sociale se analizat janë identifikuar prezencë të aflatoksinës, një substancë kancerogjene, në produket e qumështit vendas. "Ose nje megaskandal, ose nje supermashtrim!! Mbetet per tu pare.?! .. Para disa ditesh ne nje studim te AFI, gjysma e mostrave te qumeshtit vendas te analizuara dolen me aflatoksine. Aflatoksina eshte substance kancerogjene e fuqise shume te larte, e pa zberthyeshme dhe rezistente ndaj perpunimit termik. Prania e saj ne qumesht dhe nenprodukte eshte rrezik shume i madh per shendetin e konsumatorit. MB dhe AKU duhet te bejne urgjent publike fermat apo subjektet prodhuese te ushqimeve te ndotura, te bllokojne prodhimin dhe te terheqin urgjent nga tregu produktet e perlyera. Sa me pare dhe menjehere!", shkruan Panariti. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com