TIRANE, 23 Korrik /ATSH/- Ministri i Bujqësisë , Edmond Panariti, u shpreh se, ujitja dhe kullimi është në prioritet të politikave që adreson dikasteri i bujqësisë për zhvillimin rural, si faktorët kryesorë me ndikim të drejtperdrejtë në rritjen e qëndrueshme të prodhimit bujqësor në vend.
Kreu i bujqësisë Panariti, tha gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në një emision televiziv, se "Shqipëria eshte një vend i pasur me burime ujore, por për shkak të relievit të thyer, gjysma e ujit për ujitje në sektorin e bujqësisë sigurohet nga rezervuarët artificialë. Ndërsa theksoi se, sfidë mbetet plotësimi i qëndrueshëm i nevojave për ujë, nëpermjet rehabilitimit dhe modernizimit të sistemeve ujitëse; menaxhimit të qëndrueshëm të sistemeve të ujitjes dhe rehabilitimit të infrastrukturës së ujitjes, midis pushtetit qëndror, komunave dhe organizatave të përdorimit të ujit. Për të siguruar një bilanc optimal, është e domosdoshme ujitja me 3000-5000 m3/ha dhe kullimi, veçanërisht gjatë periudhës së dimrit, me nje hidromodul 4-5 litra/sek/ha. Sipas ministrit Panariti, infrastruktura e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet është e projektuar për ujitjen e rreth 420 000 ha tokë bujqësore (potencialisht të ujitëshme 360 000 ha), garantimin e kullimit në 280 000 ha dhe zvogëlimin e rrezikut nga përmbytjet lumore e detare.Ndërsa zona më e rrezikuar nga përmbytjet është ultësira perëndimore e vendit.
Me ekspertët e fushës, tha ministri Panariti, po punojmë për menaxhimin efiçent të përdorimit të uji në bujqësi dhe garantimin e kullimit, me përparësi në ultësirën perëndimore, nëpermjet rehabilitimit dhe përmirësimit të infrastrukturës egzistuese, rritjes së kapacitetitit të hidrovorëve dhe zvogëlimin e rrezikut nga përmbytjet lumore dhe detare, nëpermjet rikonceptimit të strukturave mbrojtëse, duke konsideruar zhvillimet e reja urbane pranë lumenjëve dhe grykëderdhjeve të tyre.
Në gjykimin tonë, deklaroi kreu i bujqësisë, përparë do të marrë menaxhimi i qëndrueshem i sistemeve të kullimit dhe mbrojtes nga përmbytjet duke angazhuar punën me aktorët e qeverisja qëndrore dhe lokale duke synuar rritjen graduale të rolit, përgjegjësive dhe kontributit të aktorëve dhe përfituesve lokalë.
Ligji i ndryshuar për këtë sektor përcakton Ministrinë e Bujqesisë, si organin kryesor përgjegjës për administrimin e ujitjes dhe kullimit. Ndersa administrimi i sistemeve kryhet përmes një ndarje të roleve dhe
përgjegjësive mes Bordeve të Kullimit dhe Organizatave të Përdoruesve të Ujit. Aktualisht funksionojnë 13 Borde Kullimi, zonat e shërbimit të të cilëve sipas ndarjes së kufijve
administrativë të qarqeve, mbulojnë gjithë territorin e vendit. Bordet e Kullimit janë struktura teknike të specializuara në vartesi të Ministrisë së Bujqesisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe financohen nga buxheti i shtetit. e.xh/./a.g/











