TIRANË- Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti priti sot në një takim Ambasadorin e Republikës Federale të Austrisë, Florian Raunig. Çështjet kryesore që u trajtuan në këtë takim lidheshin me procesin e integrimit evropian dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Ministri Panariti shprehu kënaqësinë për progres-raportin e Komisionit Evropian të publikuar dje që rekomandon për Shqipërinë dhënien e statusit të vendit kandidat. Ai falënderoi qeverinë dhe popullin austriak për ndihmën e gjithanshme të dhënë gjatë gjithë këtyre viteve.

Duke e cilësuar progres-raportin si mjaft realist, ministri Panariti evidentoi zhvillimet pozitive në vendin tonë, si dhe fushat ku ende duhet punuar më shumë.

Nga ana tjetër, ambasadori Raunig theksoi se Austria mbështet Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Arritjet e standardeve të duhura, ai i cilësoi si diçka të mirë për të gjithë shoqërinë shqiptare.

Duke u ndalur në festimet me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë, Ministri Panariti shprehu falënderimet për qeverinë austriake mbi mundësimin e sjelljes së përkohshme në Shqipëri të shpatës dhe përkrenares së Heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ambasadori Raunig, konfirmoi nga ana e tij pjesëmarrjen e Zëvendëskancelarit dhe Ministrit të Jashtëm të Austrisë, Michael Spindelegger, në ceremoninë festive më 28 nëntor.

(s.f/shqiptarja.com)