Banorë të njësisë administrative Levan protestuan sërish këtë të shtunë kundër ndërtimit të paneleve diellore nga kompania “Bervi Construction” në tokat e tyre bujqësore në fshatin Boçovë.

Me pankarta në duar, banorët kërkuan njëzëri rikthimin e pronave, duke theksuar se jetesa e tyre bazohet kryesisht në kultivimin e tokës bujqësore.

Fermeri Sandër Mujo i bëri thirrje Prokurorisë së Fierit të hetojë sa pa vonesa kallëzimin e tyre, dhe një apel ia drejtuan edhe kreut të ri të SPAK, Klodian Braho, për të ndërhyrë në zgjidhjen e konfliktit.

Banorët pretendojnë se kanë letra të rregullta për tokat. Por prej më shumë se 1 viti tokat e 14 familjeve, 40 hektarë ku ata kultivojnë prej 30 vitesh grurë e misër, figurojnë në emër të kompanisë “Bervi Construction”, kompani në pronësi të Afërdita Salillarit, bashkëshortes së ndërtuesit Pëllumb Salillari.

Në bazë të ligjit 7501 banorët disponojnë AMTP, me të tre firmat e komisionit. Po kështu, në AMTP shkruhet se tokën e kane në pronësi, jo në përdorim. Dokumentet e tyre janë pasqyruar edhe në “formularin 6” në librin e ngastrave.

Banorët paralajmërojnë se nëse institucionet përgjegjëse do të vijojnë të heshtin, situata mund të përshkallëzohet, duke shkuar deri në vetëgjyqësi

Më herët, familjet kanë depozituar një kallëzim në policinë e Fierit ndaj kompanisë “Bervi Construksion”, e cila po investon në ndërtimin e një parku me panele diellore në zonë.