Italia gjendet mjaft e ekspozuar nga kërcënimi i një sulmi terrorist ndërkombëtar, deklaroi sot drejtori i përgjithshëm i policisë italiane, Alessandro Pansa duke aluduar për një rrezik që mund të vinte nga Libia, që po kalon një situatë të destabilizuar politike.

"Faktori i rrezikut është shumë i lartë për shkak të kërcënimeve për luftë shumë pranë nesh. Mbikëqyrja e aeroporteve është rritur”, deklaroi Pansa në një seancë dëgjimore parlamentare.

Ai shtoi se autoritetet italiane po mbanin nën vëzhgim edhe mjaft radikalë islamikë që ktheheshin nga zonat e konflikteve si Iraku dhe Siria.

“Kemi identifikuar 60 luftëtarë islamikë, pesë prej të cilëve italianë dhe të tjerët të huaj. Ata po monitorohen nga shërbimet tona sekrete”, theksoi Pansa

Marrë nga ATSH

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)