Kombëtarja shqiptare e futbollit për herë të dytë do marrë pjesë në një Europian, teksa nga 14 qershori deri në 14 korrikun e 2024 do jetë pjesë e 24 skuadrave finaliste. Ky sukses nuk është i rastësishëm pasi ka ndikuar edhe puna në terren. Për këtë është kujdesur italiani Alarico Rossi, një skaut që zbulon talente. Ai është vlerësuar për punën edhe nga trajneri Sylvinho.
"Kur mbërrita në Tiranë, Federata Shqiptare e Futbollit më tregoi një bazë të dhënash gjigante. Është një shërbim i jashtëzakonshëm, pa të nuk do ta kishim gjetur kurrë Jasir Asanin”, tha trajneri Sylvinho për “Reuters”, një javë më parë.
Ai i referohet softuerit të krijuar nga Alarico Rossi, një analist italian futbolli, i cili mbërriti në Shqipëri me Panuccin në vitin 2017, por më pas qëndroi aty për të revolucionarizuar mënyrën e përzgjedhjes së lojtarëve: “Kur mbërrita më shikonin si alien, nuk i kishin parë kurrë metodologjitë e mia.
Vura re një boshllëk në sektorin tim dhe ia propozova idenë që kisha presidentit të federatës, Armand Duka. I kërkova të krijonim një bazë të dhënash të të gjithë futbollistëve shqiptarë në botë, të ndarë sipas rolit dhe karakteristikave, për ta bërë punën e trajnerëve të kombëtareve më të lehtë”.
Me të thënë e me të bërë, puna nisi shpejt dhe nuk u ndal: “Shqipëria zyrtare ka rreth 3 milionë shqiptarë, por nëse llogarisim emigrantët dhe fëmijët e tyre nëpër botë bëhen rreth 10 milionë. Për të mos folur për popullsinë etnike shqiptare, por me pasaporta të ndryshme. Pjesa më e vështirë është të përcaktohet nëse një lojtar mund të thirret apo jo sipas rregullave të FIFA-s. Vetëm më pas vjen pjesa tekniko-taktike”.
Më pas shefi i "zbuluesve" foli edhe për zbulimin e Jasir Asanit.
“Asani është një shembull i përsosur për të shpjeguar të gjithë procesin. Ai ka lindur në Shkup, Maqedoninë e Veriut, por është shqiptar etnik. Ai nuk kishte luajtur asnjëherë për asnjërën nga dy kombëtaret kryesore, as për Shqipërinë dhe as për Maqedoninë, ndaj mund të thirrej. Kur e futa në databazë, duke iu referuar kohës kur luante për Partizanin e Tiranës, ai u zgjodh MVP i kampionatit shqiptar.
Në atë kohë kampionati vendor nuk konsiderohej mjaft konkurrues për të justifikuar një thirrje me kombëtaren. Me Rejën luajtëm me skemën 3-5-2, e papajtueshme me rolin e Asanit, i cili është një anësor i pastër sulmues.
Ndërkohë, djali shkoi të luante fillimisht në Hungari, më pas në Korenë e Jugut. Në gjithë këto vite kam vazhduar ta ndjek falë databazës sime, edhe në kampionate kaq të izoluara. Ardhja e Sylvinhos krijoi kushtet taktike ideale që thirrja e Asanit, një anësor i djathtë me këmbën e majtë, të konkretizohej më në fund”, tha Rossi për cronachedispogliatoio.it.