Kombëtarja ka zhvilluar dje seancën e fundit stërvitore përpara nisjes për në Evian të Francës për ndeshjen miqësore me Ukrahinën, që do të zhvillohet në datën 3 qershor në orën 16:00 në Evian të Francës. Gjatë kësaj seance Kristal Abazaj bëri një stërvitje të diferencuar, duke kryer një vrap të lehtë rreth fushës.
Nga ana tjetër stërvitja e grupit kryesor të skuadrës ishte kryesisht taktike ku edhe u provuan disa situata të ndryshme në goditjet standarde. Në ndeshjen e zhvilluar brenda skuadrës me dy grupe të ndara trajneri Panucci u pa të provonte skemën 4-1-4-1.
Nga ajo që trajneri Italian provoi në fushë u dhanë edhe indiciet e para sa i përket atij që mund të jetë formacioni titular për ndeshjen me Ukrahinën. Me shumë gjasa ekipi kuqesi që do të zbresë në fushë si titullarë në këtë miqësore do të përbëheh nga Berisha në portë, Hysaj në të djathtë, Mavraj në qendër me Gjimshitin, kurse Veseli u provua mbrojtës i majtë dhe u zëvendësua në pjesën e dytë dhe nga Memolla.
Përpara mbrojtjes u rreshtua, Sabien Lilaj, kurse në mesfushë, Odise Roshi ishte në të djathtë, Ramadani dhe Ndoj në qendër dhe Lenjani në të majtë. Në vend të Roshit, u aktivizua edhe Gavazaj. Në sulm mund t’i besohet Rei Manajt si titullar, por Sindrit Guri e zëvendësoi në pjesën e dytë, gjë që nuk përjashton mundësinë që lojtari më i ri i Ostendes të startojë sërish si titullar edhe ndaj Ukrainës.
Gjithsesi, mëdyshjet e fundit Panucci do t’i sqarojë në seancën stërvitore që do të ketë këtë të shtunë, që do të jetë dhe e fundit përpara ndeshjes
Veseli dhe Gjimshiti: Reagojmë ndaj Ukrahinës
Frederik Veseli dhe Berat Gjimshiti ishin dy futbollistët e kombëtares kuqezi që u shfaqën në konferencën për shtyp. Dy qëndërmbrojtësit u shfaqën optimistë për takimin e radhës ndaj Ukrainës.
Problemi ndaj Kosovës nuk ishte vetëm në mbrojtje. Ishte e gjithë skuadra që nuk funksionoi,ne si lojtarë kur vijmë në kombëtare duam të luajmë e të luftojmë edhe nëse nuk jemi aktivizuar në ekipet tona,nuk ishte ndeshje e mirë ajo ndaj Kosovës, tani duhet të shikojmë përpara të bëjmë mirë me Ukrainën. Diskutojmë për çdo ndeshje, mendoj se do të ketë ndryshime në mbrojtje ndaj Ukrainës. Vendos trajneri por besoj se skuadra do të reagojë pas paraqitjes me Kosovën. Janë gabime që mund të përmirësohen ndaj Ukrainës.
Frederik Veseli, futbollisti i Kombëtares
Dëshira për të reaguar pas asaj paraqitjeje shumë të dobët ndaj Kosovës është shumë e madhe te Shqipëria dhe këtë e konfirmoi edhe Berat Gjimshiti.
Me Kosovën ishte ndeshje e dobët si ajo me Luksemburgun, mendoj se gjithmonë mund të reagojmë,besoj se para startit të Nations League mund të provohen disa lojtarë për të treguar vlerat e tyre.Çdo trajner ka mënyrat e veta për të punuar, tani duhet të lëmë pas Kosovën dhe të bëjmë më shumë me Ukrainën,ka rëndësi të përmirësohemi dhe të reagojmë për gabimet që kemi bërë dhe për tifozët. Ne jemi profesionistë dhe jemi të hapur çdo gjë. Të gjithë lojtarët duan të reagojnë pas figurës së keqe me Kosovën.
Berat Gjimshiti, futbollisti i Kombëtares