Intervistë me Massimiliano Paolucci, Menaxher i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë.

Në një moment kyç për rrugën europiane të Shqipërisë, reformat ekonomike, fiskale dhe institucionale po shihen gjithnjë e më shumë si kushti themelor për konvergjencën reale me standardet e Bashkimit Europian.

Nga qëndrueshmëria fiskale dhe konkurrueshmëria e biznesit, tek aftësia për të përthithur fondet e BE-së dhe për të rritur produktivitetin afatgjatë, sfidat mbeten të shumta.

Në këtë intervistë për “Monitor”, Massimiliano Paolucci, Menaxher i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë, analizon performancën e ekonomisë gjatë vitit 2025, pritshmëritë për vitin 2026 dhe reformat kyçe që, sipas tij, do të përcaktojnë ritmin e afrimit të vendit me standardet ekonomike dhe institucionale të Bashkimit Europian.

Si e vlerësoni performancën e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2025?

Shqipëria e mbylli vitin 2025 e sigurt dhe me një vizion të qartë përpara. Kjo ndihet në të gjithë ekonominë – një sezon i mbarë turistik, biznese që po zgjerojnë aktivitetin e tyre, dhe në hapat vendimtarë drejt anëtarësimit në BE.

Treguesit konfirmojnë trajektoren e fortë të rritjes ekonomike, ndonëse me një ritëm më të moderuar. Në gjysmën e parë të vitit 2025, PBB-ja u rrit me 3.5% në terma vjetorë, e mbështetur nga zgjerimi i turizmit, ndërtimit dhe shërbimeve, ndërsa bujqësia shënoi rënie.

Konsumi vijoi të jetë një nga shtytësit kryesorë të rritjes ekonomike, i mbështetur nga një treg pune gjithnjë e më i shtrënguar; pagat në sektorin privat u rritën me gati 10% në terma vjetorë, duke ndihmuar në rritjen e të ardhurave të familjeve shqiptare.

Edhe investimet shënuan rritje si rezultat i kushteve të favorshme të financimit dhe një mjedisi makroekonomik përgjithësisht të qëndrueshëm.

Inflacioni qëndroi në nivele të ulëta, mesatarisht në 2.2%, duke i dhënë mundësi Bankës së Shqipërisë të lehtësojë politikën monetare dhe, për rrjedhojë, të përmirësojë kushtet financiare. Politika fiskale mbështeti ekonominë; buxheti aktualisht rezulton me suficit, ndërsa borxhi publik vijoi trendin rënës, duke arritur në rreth 53.5% të PBB-së në shtator 2025.

Pavarësisht këtij progresi, vendi vijon të përballet me sfida strukturore, si tkurrja e popullsisë në moshë pune, shkalla e lartë e informalitetit, si dhe nevoja për të rritur produktivitetin dhe aftësimin e fuqisë punëtore.

Progresi i vazhdueshëm në drejtim të reformave lidhur me anëtarësimin në BE do të jetë thelbësor për të mbështetur rritjen ekonomike dhe përafrimin e nivelit të të ardhurave me atë të BE-së.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për vitin 2026?

Fokusi i Grupit të Bankës Botërore gjatë vitit 2026 do të jetë sigurimi i rezultateve konkrete dhe forcimi i partneritetit, përmes bashkëpunimit me qeverinë shqiptare për të garantuar vijimësinë e reformave të integrimit në BE, ruajtjes së një performance të fortë të portofolit të projekteve dhe përshpejtimit të zbatimit të tyre, në mënyrë që këto rezultate të jenë të prekshme për qytetarët dhe komunitetet.

Ekonomia e Shqipërisë pritet që të vijojë të rritet me ritme të qëndrueshme, ku PBB-ja reale parashikohet të arrijë në rreth 3.5%, e mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe aktiviteti i fortë në sektorët e ndërtimit dhe të shërbimeve.

Turizmi do të vijojë të japë një kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike, por zgjerimi i shpejtë në vitet e fundit ka të ngjarë të ngadalësohet me maturimin e sektorit.

Investimet pritet të mbeten të larta, tregu i punës i shtrënguar, ndërsa inflacioni pritet të rritet  gradualisht drejt objektivit të Bankës së Shqipërisë, duke ruajtur kushte mbështetëse financiare.

Politika fiskale do të vijojë të jetë e kujdesshme dhe gjithnjë e më shumë e lidhur me prioritetet e pranimit në BE. Qeveria synon të mbajë deficitin në rreth 1.8% të PBB-së dhe të vazhdojë uljen graduale të borxhit publik.

Shqipëria do të vijojë gjithashtu të shfrytëzojë fondet e Planit të Rritjes të BE-së me qëllim çuarjen përpara të reformave dhe investimeve të synuara, veçanërisht për digjitalizimin, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe forcimin e institucioneve.

Cilat janë mundësitë dhe rreziqet kryesore për ekonominë në periudhën e ardhshme?

Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar, midis vrullit të zhvillimit të fortë në plan afatshkurtër dhe nevojës gjithnjë e më të madhe për të rritur potencialin në plan afatgjatë. Anëtarësimi në BE ofron një mundësi të madhe.

Nëse Shqipëria e shfrytëzon Planin e Rritjes së BE-së për të çuar përpara reformat në infrastrukturën digjitale, përmirësimin e kuadrit rregullator, rritjen e efektivitetit të qeverisjes, zhvillimin financiar dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, ajo mund të rrisë produktivitetin, të tërheqë investime dhe të zgjerojë forcën e punës.

Nëse zbatohen siç duhet, këto reforma mund të kontribuojnë me deri në 3.1 pikë përqindje shtesë në normën e rritjes së PBB-së për frymë dhe të përshpejtojnë konvergjencën me standardet e jetesës së BE-së me gati tre dekada.

Për sa u përket rreziqeve, ato janë reale. Rritja ekonomike mbetet e përqendruar në disa sektorë me vlerë të ulët, duke e bërë ekonominë të ndjeshme ndaj goditjeve, ndërkohë që bujqësia dhe degë të industrisë kanë ardhur duke u dobësuar.

Më konkretisht, tkurrja e popullsisë dhe emigracioni po çojnë në shtrëngim të ofertës së fuqisë punëtore, ku popullsia në moshë pune parashikohet të tkurret me rreth 22% midis viteve 2024 dhe 2050, duke e bërë të domosdoshëm zbatimin e reformave që synojnë rritjen e pjesëmarrjes dhe aftësive në tregun e punës, në mënyrë që rritja ekonomike të jetë më rezistente ndaj goditjeve dhe me përfitime të shpërndara në të gjithë ekonominë.

Si një këshilltar me përvojë të gjatë në financat publike, si do ta vlerësonit qëndrueshmërinë fiskale të Shqipërisë? Sa e shëndetshme është ajo në planin afatgjatë nisur nga fakti që performanca fiskale mbështetet kryesisht në të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe tatimi mbi të ardhurat personale, të nxitura kryesisht nga rritja e pagave?

Në muajin nëntor, ne publikuam raportin “Rishikimi i Financave Publike (RFP)”, të përgatitur në bashkëpunim me Ministrinë e Financave. Ky dokument paraqet një analizë të detajuar mbi pozicionin fiskal të Shqipërisë dhe ofron rekomandime për forcimin e qëndrueshmërisë fiskale.

Bazuar në kuadrin e politikave aktuale, qëndrueshmëria fiskale paraqitet përgjithësisht solide. Borxhi publik ra në 53.5% të PBB-së në tremujorin e tretë të vitit 2025, niveli më i ulët për më shumë se një dekadë, i mbështetur nga menaxhimi i kujdesshëm fiskal dhe performanca e fortë e të ardhurave.

Rregullat fiskale kanë mbështetur konsolidimin dhe situata fiskale është e favorshme për qëndrueshmërinë në plan afatmesëm.

Megjithatë, mbështetja e fortë në të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe sigurimet shoqërore – të nxitura kryesisht nga rritja e pagave – mbart rreziqe.

Të ardhurat nga pagat mund të jenë të paqëndrueshme gjatë ngadalësimeve ekonomike; nëse pagat do të rriteshin më shpejt se produktiviteti, atëherë do të kishim frenim të konkurrueshmërisë dhe formalizimit të ekonomisë.

Pa reforma, presionet demografike nga plakja e popullsisë dhe emigracioni do të çojnë në ngushtim të bazës së kontribuuesve.

Vijimi i trajektores rënëse të borxhit publik, përmes konsolidimit të qëndrueshëm fiskal dhe të bazuar në rregulla dhe forcimit të mbikëqyrjes fiskale, mbetet thelbësor.

Për të mbrojtur këtë qëndrueshmëri, reformat e pensioneve duhet të synojnë rregullimin e parametrave të daljes në pension, përmirësimin e qëndrueshëm të mjaftueshmërisë së përfitimeve, si dhe të garantojnë që këto kontribute të përkthehen në përfitime të drejta.

Duke parë përpara, prioritetet janë të qarta. Shqipëria mund të forcojë qëndrueshmërinë e saj fiskale përmes zgjerimit të bazës së tatueshme dhe balancimit të strukturës së taksave – përfshirë kufizimin e përjashtimeve tatimore, përforcimin e taksave mbi pronën dhe mjedisin, si dhe rishikimin e përjashtimeve nga TVSH-ja.

Rritja e transparencës mbi rreziqet fiskale që vijnë nga ndërmarrjet shtetërore dhe Partneriteti Publik-Privat, së bashku me përmirësimin e raportimit financiar afatgjatë mbi pensionet dhe detyrimet, do t’i ndihmojë vendimmarrësit të planifikojnë me më shumë siguri.

Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me Qeverinë shqiptare për zbatimin e këtyre rekomandimeve, në mënyrë që të kemi një sistem të fortë, të drejtë dhe të përqendruar te rezultatet.

Sa e përgatitur është Shqipëria për integrimin në Bashkimin Europian – si në aspektin e konkurrueshmërisë së biznesit ashtu edhe në atë të disiplinës financiare? Si i vlerësoni proceset buxhetore në vend, aftësinë e tij për të thithur fondet e BE-së dhe çfarë duhet bërë për të minimizuar ndikimet e mundshme negative nga zbatimi i standardeve të BE-së, si për bizneset, ashtu edhe për financat publike?

Shqipëria ka bërë përparim real drejt integrimit në BE. Ligjet dhe institucionet po përafrohen gjithnjë e më shumë me kërkesat e BE-së, dhe disiplina fiskale është përmirësuar.

Nga këndvështrimi ynë, hendeku më i madh qëndron në aspektin ekonomik: konkurrueshmëria mbetet “mesatarisht e përgatitur”, siç thuhet në Raportin e Komisionit Europian të vitit 2025.

Kjo do të thotë që, ndërsa ekonomia e Shqipërisë vijon të rritet, ajo nuk është ende mjaftueshëm konkurruese për t’u përballur me presionet e tregut të vetëm të Bashkimit Europian. Shqipëria duhet të investojë më shumë në teknologji, kërkim dhe mbështetje për bizneset në mënyrë që ato të modernizohen dhe zhvillohen.

Përthithja e fondeve të BE-së po përmirësohet, por suksesi varet nga përgatitja më e mirë e projekteve, transparenca në prokurime dhe monitorimi i fuqishëm.

Gjithashtu, shumë Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme (NVM) do të kenë nevojë për mbështetje për të përmbushur standardet e BE-së për produktet, mjedisin dhe sigurinë, si dhe për të adoptuar praktikat digjitale të tregtisë.

Për minimizimin e rreziqeve të lidhura me tranzicionin, Shqipërisë do t’i duhet që t’i zbatojë këto standarde në mënyrë graduale, për t’u dhënë bizneseve kohë të përshtaten, për t’u ofruar Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme mbështetjen e synuar dhe qasje në financim për investime që lidhen me përputhshmërinë, si dhe për të realizuar harmonizimin e sistemeve doganore dhe atyre digjitale me normat e BE-së.

Në aspektin e financave publike, kërkohet përgatitja e pasqyrave financiare të konsoliduara e të plota, përmirësimi i sistemeve të integruara të menaxhimit financiar dhe vazhdimi i zbatimit të planit të reformave të menaxhimit të financave publike (PFM) me qëllim përmbushjen e standardeve të qeverisjes fiskale të Bashkimit Europian.

Si do ta vlerësonit ecurinë e projekteve të Grupit të Bankës Botërore në Shqipëri? Cilët janë, sipas jush, sektorët më premtues për financim dhe mbështetje në të ardhmen?

Portofoli i projekteve të Grupit të Bankës Botërore në Shqipëri ka shënuar përparim të qëndrueshëm, ku shumica e projekteve i kanë arritur objektivat e tyre zhvillimore.

Angazhimi ynë është përqendruar në rritjen e qëndrueshmërisë ndaj goditjeve, tranzicionin e gjelbër, kapitalin njerëzor dhe reformat e qeverisjes në sektorë kyç.

Aktivitetet e ndërmarra së fundmi kanë qenë në mbështetje të menaxhimit të riskut fiskal, reformave në tregun e energjisë dhe mbrojtjes së mjedisit, të cilat po ecin sipas afateve të parashikuara për zbatimin e tyre.

Menjëherë pas ardhjes sime në korrik, kam udhëtuar nëpër Shqipëri dhe jam takuar me partnerë, biznese dhe komunitete, kam parë nga afër vitalitetin e këtij vendi dhe angazhimin e tij të fortë për reforma. Ajo që bie në sy është roli që turizmi luan dhe do të luajë gjithnjë e më shumë si një shtyllë strategjike e transformimit ekonomik të Shqipërisë.

Turizmi nuk është thjesht një sektor me rritje të lartë; ai tërheq përpara edhe shumë sektorë të tjerë: infrastrukturën, energjinë, bujqësinë, zhvillimin urban, aftësimin e fuqisë punëtore dhe shërbimet lidhëse.

Në fund të fundit, çdo investim në rrugë, ujësjellës, objekte të trashëgimisë kulturore, shërbime digjitale ose mbrojtje mjedisore forcon konkurrueshmërinë e Shqipërisë si një destinacion turistik. Turizmi spikat si një nga fushat më premtuese për financim dhe mbështetje në të ardhmen.

Tranzicioni energjetik mbetet gjithashtu thelbësor, me rritjen e kërkesës për burime të rinovueshme, efikasitet energjetik, modernizim të rrjetit dhe rezistencë ndaj klimës.

Investimet në infrastrukturë, si rrugë, aeroporte, porte dhe infrastrukturë digjitale janë po aq të rëndësishme, pasi përmirësojnë aksesin në destinacionet në zhvillim dhe zgjerojnë mundësitë ekonomike për zonat më pak të zhvilluara.

Shërbimet urbane, si furnizimi me ujë, trajtimi i ujërave të ndotura dhe mbrojtja nga përmbytjet, kërkojnë sisteme moderne dhe rezistente, të cilat mund të realizohen edhe nëpërmjet kombinimit të financimit publik dhe privat.

Ndërkohë, forcimi i kapitalit njerëzor në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje sociale do të nxisë rritjen e punësimit, veçanërisht tek të rinjtë dhe gratë, dhe do të mbështesë ekonominë e orientuar drejt shërbimeve nga të cilat varen turizmi dhe sektorët e lidhur me të.

Përpjekjet ndërsektoriale në reformat e digjitalizimit dhe qeverisjes do të forcojnë më tej transparencën, efikasitetin dhe ofrimin e shërbimeve.

Shqipëria mund të shfrytëzojë burimet e Bankës Botërore, së bashku me ato të IFC-së dhe MIGA-s, me qëllim reduktimin në mënyrë sistematike të rrezikut të kapitalit privat në këta sektorë, si dhe për avancimin e procesit të harmonizimit me standardet e anëtarësimit në Bashkimin Europian, përfshirë standardet klimatike dhe digjitale.

Progresi i vendit është i prekshëm dhe perspektiva është premtuese. Nëpërmjet reformave të vazhdueshme dhe investimeve të synuara, ne mund të ndihmojmë rritjen e sektorit privat dhe përfitime të matshme për qytetarët, siç janë krijimi i vendeve të punës dhe mundësive të punësimit, forcimi i institucioneve dhe avancimi në zhvillimin e qëndrueshëm në përputhje me aspiratat e Shqipërisë për anëtarësimin në BE.

Cilat janë rekomandimet tuaja për një model të qëndrueshëm të rritjes ekonomike në periudhë afatmesme dhe afatgjatë, të udhëhequr nga produktiviteti  dhe jo nga pagat dhe taksat neto ku mbështetet modeli aktual?

Shqipëria ka talentin, energjinë dhe vendosmërinë për të kaluar drejt një modeli të bazuar në produktivitet dhe inovacion. Kam parë se si bashkëpunimi publik-privat po përparon, i gatshëm për të bërë më shumë përmes rregullave më të mira, investimeve më të zgjuara dhe kapaciteteve të fuqizuara njerëzore.

Synimi ynë afatgjatë është konvergjenca me Bashkimin Europian. Për të arritur këtë objektiv është thelbësore rritja e produktivitetit të sektorit privat, përmes përshpejtimit të inovacionit dhe adoptimit të teknologjisë, si dhe duke i ndihmuar bizneset të nisin aktivitetin, të zgjerohen dhe të eksportojnë.

Rregulla të qarta dhe të parashikueshme, procedura më të shpejta për marrjen e lejeve të nevojshme dhe të drejta pronësie të besueshme do të nxisnin investimet dhe do të mbështetnin rritjen e NVM-ve.

Efektiviteti i qeverisjes përbën një tjetër shtyllë kyçe. Prioritizimi i investimeve publike me cilësi të lartë, forcimi i menaxhimit financiar publik dhe sigurimi i një rregullimi të drejtë dhe të qëndrueshëm do të kontribuojnë në rritjen e besimit të investitorëve.

Planifikimi transparent i projekteve të infrastrukturës dhe zbatimi efikas i tyre mund të tërheqin kapitalin privat dhe të rrisin produktivitetin.

Anëtarësimi në SEPA përbën një hap inkurajues, por thellimi i mëtejshëm i sektorit financiar mbetet i domosdoshëm.

Zgjerimi i aksesit në kredi dhe shërbime financiare digjitale do të mbështesë investimet e sektorit privat dhe konsumin, ndërkohë që politikat e qëndrueshme makroekonomike – me inflacion në nivelin e synuar dhe mbikëqyrje të fortë financiare – krijojnë sigurinë që u nevojitet investitorëve.

Në fund të fundit, është populli shqiptar ai që do të nxisë rritjen ekonomike. Rritja e pjesëmarrjes së grave në forcën e punës, ulja e barrierave për të rinjtë dhe migrantët e kthyer, rritja e përfitimeve nga punësimi përmes politikave të kujdesit ndaj fëmijëve, fleksibiliteti në punë dhe politikat aktive të tregut të punës mund të rrisin pjesëmarrjen dhe produktivitetin.

Të kombinuara me vrullin që kemi vërejtur në terren, këto reforma mund të përshpejtojnë konvergjencën me BE-në, të ndërtojnë një ekonomi moderne dhe konkurruese, si dhe të krijojnë vende pune më cilësore për brezat e sotëm dhe të ardhshëm./ Monitor