VATIKAN- Në meshën e tij të parë të vitit 2013 Papa Benedikti i XVI-të bëri thirrje për paqe në botë.

Mesha në Bazilikën e “Shën Pjetërit”përkoi dhe me Ditën Botërore të Paqes për kishën ku Ati i Shenjtë foli kundër asaj që ai e quajti “kapitalizmi i parregulluar financiar”. Udhëheqësi i kishës katolike u shpreh se “konfliktet e përgjakshme, kërcënimet e reja për luftë dhe vatrat e tensionit janë të shkaktuara nga pabarazitë ndërmjet të pasurve e të varfërve si dhe nga mentaliteti egoist dhe individualist, që gjen kushte të favorshme në një kapitalizëm të çrregullt financiar. “
Papa Benedikti XVI kujton gjithashtu se paqja rrezikohet edhe nga terrorizmi dhe kriminaliteti ndërkombëtar.

Përballë kësaj situate, Papa fton për të ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi të vërtetën, mbi dashurinë e mbi drejtësinë. “Në një shoqëri pa Zot- vëren Papa- mbizotërojnë gjithnjë kriteret e përfitimit, lulëzon mëkati në të gjitha format, duke nisur nga egoizmi, dhuna, intoleranca, krimi deri tek tek strukturat e padrejta.
Gjithashtu Papa pohon se nuk duhet nënvlerësuar edhe roli vendimtar i familjes, qeliza bazë e shoqërisë e cila është një nga subjektet e domosdoshme për realizmin e kulturës së paqes. Papa bën thirrje se është e nevojshme të nxiten mendime, që të krijojnë mentalitetin dhe kulturën e paqes, atmosferën e respektit, të ndershmërisë e të përzemërsisë në shoqërinë njerëzore.

Redaksia online
(lç/sg/shqiptarja.com)