VATIKAN - Paqja, kriza ekonomike dhe respekti për jetën ishin pikat kyce të fjalimit të Papës Benedikti XVI para Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë.

Gjatë fjalimit të tij Papa bëri një thirrje të fuqishme për paqen në shumë shtete të botës, ku popullsia vuan nga pasojat e luftës e të dhunës. Ati i Shenjtë u kërkoi autoriteteve politike të kenë parasysh gjendjen e vështirë humanitare të popullsive.

Më pas Papa Benedikti XVI përmendi Tokën Shenjtë dhe uroi që izraelitët e palestinezët të angazhohen për bashkëjetesën paqësore dhe shprehu dëshirën e Kishës Katolike që Jeruzalemi të jetë “qytet i paqes dhe jo i ndarjes”.

Gjithashtu Papa shprehu kënaqësinë për rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe kritikoi liberalizimin e abortit edhe në shtete me traditë të lashtë të krishterë. Papa vuri në shënjestër edhe Perëndimin, ku të drejtat njerëzore po fillojnë të kuptohen sipas dëshirës ku njeriu i referohet vetëm vetvetes, e jo më të tjerëve dhe Zotit.

Pjesa e fundit e fjalimit të Atit të Shenjtë para Trupit Diplomatik, i kushtohej krizës ekonomike e financiare dhe shkaku i saj sipas Papës duhet kërkuar në etjen e shfrenuar për fitim.

Në fjalët e fundit Papa iu drejtua ambasadorëve të 179 vendeve në Vatikan duke thënë: “Ju takon juve të jeni promovuesit e rendit e të paqes ndërmjet njerëzve. Por mos harroni se është Zoti protagonisti i madh i rendit dhe i paqes mbi tokë”.

Redaksia online
(eç/lç/shqiptarja.com)