Papa firmos për marterizimin 
e 38 klerikëve shqiptarë/Zyrtare

Papa firmos për marterizimin <br />e 38 klerikëve shqiptarë/Zyrtare
Papa Françesku shpall dekretin e marterizmit të 38 klerikëve shqiptarë të vrarë nga regjimi komunist në periudhën e viteve 1945-1974. Bëhet fjalë për Arqipeshkvin e Durrësit, Vinçenc Prennushi dhe 37 shokët e tij.

Njoftimi është dhënë nga Imzot Angelo Massafra, kreu i Konferencës Ipeshkvnore, i cili shprehet se e kanë pritur me kohë këtë lajm të mirë.

Në audiencën që Papa i ka dhënë kardinalit Amato, Prefekt i Kongregatës për Shenjtërit, ka autorizuar shpalljen e dekretit për “martirizimin e Shërbëtorit te Hyjit Vinçenc Prennushi i Urdhrit të Fretërve të vegjël dhe 37 shokët martirë të vrarë bën me dije imzot Massafra.

Konferenca Ipeshkvore shqiptare, në marrëveshje me Kongregatën për Çështjet e Shenjtërve dhe me Postulacionin e Përgjithshëm të Fretërve Minorë, do të caktojë dhe do të komunikojë vendin dhe datën në të cilën do të zhvillohet Kremtimi solemn i Lumturimit.

38 martirët u dënuan dhe u persekutuan padrejtësisht nga sistemi diktatorial. Ishin ata të cilët me besim në Zot sfiduan ideologjinë komuniste .

Kush janë 28 martirët?

Imzot Vinçenc Prennushi: Françeskan, Ipeshkv i Durrësit, poet. U burgos e u torturua sepse nuk pranoi ta shkëpuste Kishën Shqiptare nga Selia e Shenjtë; dha shpirt me 19 mars 1949 në birucë të burgut.

Imzot Frano Gjini: Ipeshkv. Pavarësisht torturave, si nuk pranoi ta shkëpusë Kishën nga Papa, u dënua me vdekje e u pushkatua më 11 mars 1948.

Imzot Jul Bonati: Meshtari i madh intelektual, u mbyll për torturë në çmendinë në qeli të ndryshme të sigurimit famëkeq, nga Vlora në Durrës, vdiq në burgun e Durrësit, pranë Imzot Prennushit.

Dom Alfons Tracki: Prifti gjerman,bir i Breslaut, u torturua dhe u pushkatua më 25 qershor 1946, në moshën 50 vjeçe.

Dom Anton Muzaj: U torturua në mënyrë çnjerëzore, vetëm sepse nuk pranoi të mohonte fenë: Si i thyen këmbë e duar, e liruan nga burgu dhe e nisën në shtëpi, ku vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme mbas pak ditësh, në moshën 29-vjeçare.

Dom Anton Zogaj: Famullitar i Durrësit, sekretar i Imzot Prennushit, meshtar jashtëzakonisht i përgatitur në të gjitha drejtimet, u burgos e u torturua mizorisht. E lanë të mbyllur disa ditë në një banjo të pisët, ku priti ditën e pushkatimit: 31 dhjetorin e 1946-tës.

Dom Dedë Maçaj: I akuzuar si spiun i Vatikanit, u torturua, u gjykua dhe u pushkatua për rezistencën e tij heroike fetare, në moshën 27 vjeç.

Dom Dedë Malaj: Mbeti i paharruar në kujtesë për mbrojtjen heroike që i bëri fesë së Krishterë në gjyqin e organizuar kundër tij, që e dënoi me vdekje. U pushkatua në breg të Liqenit të Shkodrës më 12 maj 1959. Ishte 39-vjeç.

Dom Dedë Plani: Dha shpirt në spital më 30 prill 1949, pasi nuk pranoi asnjë akuzë e u bëri ballë heroikisht torturave mizore.

Dom Ejëll Deda: Famullitar i Bushatit, i arrestuar vetëm pse ishte prift, vdiq më 12 maj 1948 në spitalin e burgut, pas torturave çnjerëzore.
 
Dom Jak Bushati: E akuzuan se ndihmonte diversantët, se bënte agjitacion e propagandë: pretekste të cilat e çuan në pushkatimin pa gjyq më 12 shkurt 1949.

Papa Josif Mihali: Njeri i Zotit, arrestuar e torturuar veç me këtë akuzë, u mbyt në baltën e kënetës, në kampin e shfarosjes së Maliqit.

Dom Zef Maksen: Meshtar gjerman, pushkatuar me 1946, duke shqiptuar fjalët: “Des i lumtun, tue mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve si meshtár i fesë së Krishtit”.

Dom Lazër Shantoja: Meshtár i ndritur, njeri i kulturës, i letërsisë e i artit, u masakrua deri në atë gradë, sa vetë e ëma kërkoi nga xhelatët komunistë ta pushkatonin një orë e më parë, gjë që s’munguan ta bënin në fushat e shkreta të Tiranës. Ai u nda nga jeta në moshën 54-vjeçare.

Dom Lekë Sirdani: Personalitet i shquar i Kishës katolike: prift, patriot, shkrimtar. U torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në një gropë ujërash të zeza.

Dom Luigj Prendushi: U arrestua, u torturua dhe u pushkatua si spiun i Vatikanit më 24 janar 1947.

Dom Marin Shkurti: I shuguruar meshtar më 1961, shërbeu pak kohë në Kishën me dyer të hapura e shumë në atë të 'heshur': Guxoi ta vijojë heroikisht shërbimin meshtarak në kohën e terrorit. U arrestua, prandaj, u torturua e u pushkatua në vitin 1969.

Dom Mark Gjani: U arrestua për veprimtarinë e tij meshtarake dhe u shua gjatë torturave të tmerrshme në qeli, m 1ë945.

Dom Mikel Beltoja: U pushkatua më 10 shkurt 1974, mbasi mbrojti heroikisht e haptas idealet e veta fetare në gjyqin që iu bë pas gjashtë muaj torturash, i cili e dënoi me vdekje.

Dom Ndoc Suma: Vdiq 2 vjet mbasi ishte liruar, i shkatërruar, nga burgu, ku u torturua me akuza për të cilat thoshte: “Vetëm kur dola në gjyq e mora vesht pse isha arrestue”.

Dom Ndre Zadeja: Prift e poet, pushkatuar pa gjyq në qytetin e Shkodrës, duke u bërë martiri i parë, viktimë e diktaturës komuniste.
 
Dom Pjetër Çuni: Prift, vdiq i varur me kokë poshtë mbi gropën e ujërave të zeza.

Dom Shtjeën Kurti: Prift, pushkatuar para banorëve të Gurëzit. Sigurimi e akuzoi se deshi të helmonte popullin duke shfrytëzuar për këtë, furrat e bukës.

Atë Bernardin Palaj: Frat e poet, do të vdiste ne Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, shndërruar në burg për 700 vetë. Nën torturat e Sigurimit mori tetanozin. Qe mbledhësi i parë i Eposit të Kreshnikëve, mitolog i shquar, por edhe muzikant e pianist i talentuar. Gjeni i letrave shqiptare, pasardhës i denjë i Fishtës së madh, i mbytur e i harruar.

Atë Çiprian Nika: Françeskan, vdiq nën akuzën e rëndë e shpifëse se kishte fshehur armë në elterin e Shëna Ndout, në Kishën françeskane të Gjuhadolit.

Atë Gaspër Suma: Rregulltar, pinjoll i një familjeje, që u shua nga komunistët, u arrestua më 1947 dhe vdiq në burg.

Atë Gjon Shkallu: Frati i madh filozof, u pushkatua së bashkut me jezuitët Atë Gjovani Fausti (misionar italian) e Atë Daniel Dajani si dhe me seminaristin Mark Çuni, në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik. U akuzuan për “tentativë arratisjeje” dhe për formimin e Partisë Demokristiane. Që të katërtëve shteti shqiptar u ka dhënë dekoratën “Martir i Demokracisë”.

Atë Karl Serreqi: Frati që nuk pranoi të kallëzojë rrëfimin e një të plagosuri në ndeshjet me komunistët në mal, e kaloi jetën burgjeve. Vdiq në Burrel më 4 prill 1954. Është një ndër martirët e rrallë të sekretit të rrëfimit në historinë e Kishës universale.

Atë Mati Prendushi: Frati që mori pjesë në ngritjen e flamurit në Deçiq, u përndoq dhe u fal nga krajl Nikolla e nga mbreti Zog, por u dënua me vdekje nga i ashtuquajturi “gjyq” komunist. Nuk i dihet as varri.

Atë Serafin Koda: Frat françeskan. Dha shpirt mbasi hetuesët komunistë, duke mos u ngopur me torturat e zakonshme, e sulmuan me thonj në fyt.

Vëlla Gjon Pantalia: Jezuit, u arrestua ndër të parët e vdiq në spital, mbasi vuajti tmerre të papërshkrueshme.
 
Fran Miraka, Qerim Sadiku e Gjelosh Lulashi, të rinj që edukoheshin ndër jezuitë; u vranë pse deshën Krishtin.

Maria Tuci: u torturua e mbyllur në një thes, së bashku me një maçok, të cilin e godisnin me shkop. Virgjër e martire, vasha dha shpirt me mundime të jashtëzakonshme.

(m.b./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

‘Dua më shumë Shqipërinë’, koncert për Pavarësinë në Fier! Bëhen bashkë 70 artistë fierakë

‘Dua më shumë Shqipërinë’, koncert për Pavarësinë në Fier! Bëhen bashkë 70 artistë fierakë