Nënë Tereza e Kalkutës, murgesha që ua ka kushtuar jetën e saj varfërve do të bëhet shenjtore e Kishës Katolike në një ceremoni më 4 shtator . Sot në Koncistorin e Tretë të Rregull Publik për Kanonizimin e të Lumturve, Papa Françesku ka caktuar datën e kremtimit të ceremonisë.

Nënë Tereza do të shpallet Shenjte të dielën e 4 shtatorit 2016. Pra, sot paradite në orën 10.00, në Sallën e Koncistorit në Pallatin Apostolik të Vatikanit, gjatë kremtimit të lutjeve të ditës të Orës së Tretë, Papa Françesku mbajti Koncistorin e rregullt publik për kanonizimin e të Lumëve:

Giuseppe Sànchez Del Rio;
Stanislau i Jezu Marisë (Gjoni Papczynski);
Giuseppe Gabriele Del Rosario Brochero;
Maria Elisabetta Hesselbald;
Tereza e Kalkutës ( Anjeze Ganxhe Bojaxhiu).

Gjatë Koncistorit, Papa ka dekretuar që të Lumët të regjistrohen në Librin e Shenjtorëve në këto data: të dielën më 5 qershor 2016: Stalinslau i Jezu Marisë e Maria Elisabetta Hesselbald; të dielën më 4 shtator 2016: Tereza e Kalkutës, Ganxhe Bojaxhiu; të dielën më 16 tetor 2016: Giuseppe Sànchez del Rìo e Giuseppe Gabriele del Rosario Brochero.

Më 17 dhjetorin e vitit të kaluar, Papa Françesku miratoi dekretin që pranonte e vërtetonte, ndërmjetësimin e së Lumes Nënë Terezë pranë Hyjit, në mrekullinë që i ndodhi një njeriu me kombësi braziliane, i sëmurë rënd në tru, i cili në tetorin e vitit 2008 fitoi shërbimin e jashtëzakonshëm e të plotë nga sëmundja. Dekreti i miratuar nga Papa në dhjetorin e kaluar, hapi kështu udhën që do të çojë Nënë Terezën drejt shenjtërimit. Lajmi i mrekullisë, që i atribuohet ndërmjetësimit të Nënë Terezës pranë Hyjit, u njoftua në të përditshmen italiane Avvenire, nga Stefania Falasca.

Më 6 marsin e kaluar, Papa e përmendi Nënë Terezën kur, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kujtoi katër misionaret e Dashurisë të urdhrit të Nënë Terezës që u vranë në Jemen. “Motrat e Nënë Terezës, vrarë në Jemen, janë martire të ditëve tona, ndonëse për ta nuk jepen lajme”, pohoi Papa Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, më 6 marsin e kaluar. “Lutëm për to e për njerëzit e tjerë të vrarë në sulm, e për familjarët. Janë martiret e sotme!

E këto nuk janë në krye të gazetave, nuk janë lajme! Këto dhurojnë gjakun për Kishën. Prandaj janë viktima të sulmit të atyre, që i vranë, por edhe të indiferencës, të globalizimit të kësaj indiference, të cilës nuk i bëhet fare vonë për asgjë… Nënë Tereza i shoqëroftë në Parajsë këto bija martire të bamirësisë e ndërmjetësoftë për paqen dhe respektin e shenjtë të jetës njerëzore”.

Redaksia online
(S.m/shqiptarja.com)