VATIKAN - Papa Françesku do të celebrojë meshën e së enjtes javën e ardhshme duke larë këmbët e të burgosurve në një qendër burgimi për të rinjtë në Romë.

Mesha me larjen e këmbëve para Pashkëve mbahet në Selinë e Shenjtë, ose në bazilikën e Romës. Larja e këmbëve të enjten para Pashkës është një traditë e krishterë, që daton që në kohët e Jezu Krishtit.

Gjatë këtij riti, papa do të lajë dhe puthë këmbët e 12 personave për të replikuar gjestin e përuljes së Krishtit ndaj 12 apostujve të tij një natë para se të kryqëzohej.

Edhe Papa Benedikti XVI mbajti një meshë të njëjtë në qendrën rinore të burgimit Casal del Marmo, në Romë, në vitin 2007.

“Me këtë celebrim në Casal del Marmo, Ati i Shenjtë do ta vazhdojë këtë zakon, që karakterizohet nga konteksti i tij i përuljes”, - thuhet në deklaratën e Vatikanit.

Papa i ri i sapozgjedhur nga Amerika Latine, i ka bërë thirrje Kishës Katolike Romane, që të jetë më afër njerëzve të zakonshëm, sidomos atyre të varfër dhe me probleme.

(ad.ti/l.ç/shqiptarja.com)