TIRANE- Presidenti grek në takim me kreun e opozitës Basha garantoi zgjidhje të çështjes së toponimeve, problem që ekziston mes dy vendeve. Ai tha publikisht atë që kishte pranuar me kreun e qeverisë Rama dhe bërë publike vetëm nga gazeta jonë një ditë më parë. Presidenti grek Karolios Papulias, gjatë takimit me kreun e PD Lulzim Basha ka dhënë garanci se shumë shpejt do marrë zgjidhje çështja e toponimeve në pasaportat e fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi. Një deklaratë që është bërë publike me Bashën, ndërsa Papulias e kishte pranuar në takim me kreun e qeverisë Rama një zgjidhje të tillë, lajm të cilin e publikoi një ditë më parë vetëm gazeta “Shqiptarja.com”. Presidenti grek, nëse ka heshtur për të gjitha kërkesat e tjera të zyrtarëve shqiptarë, si heqjen e Ligjit të luftës, marrëveshjen e ‘detit’, vetëm zgjidhjen e toponimeve e ka pranuar publikisht.

Dhe e ka bërë pikërisht në takim me Bashën, ish-ministrin e Jashtëm që bashkë me homologen e saj greke Dora Bakojanis nënshkruan marrëveshjen për kufirin detar katër vite më parë, duke e “shpërblyer” me deklaratën publike për zgjidhjen e toponimeve, në mbyllje të takimeve.
“Është ngritur një komision i përbashkët mes dy vendeve dhe shprehu bindjen se shumë shpejt do t’i jepet një zgjidhje përfundimtare këtij problemi” mësohet t’i ketë thënë Papulias, kreut të të opozitës në takimin që u mbajt në zyrat e Bashkisë së Tiranës. Në këtë takim Basha ka kërkuar zgjidhjen e problemit që ka vështirësuar lëvizjen në kufi të qytetarëve shqiptarë të lindur në Greqi.

Në takim kreu i së djathtëve mësohet se ka përsëritur dhe kërkesën për anulimin e ligjit të luftës. “Ligji i luftës s’duhet të ekzistojë, jo vetëm se Shqipëria dhe Greqia janë dy popuj miq, 2 vende anëtare të NATO-s por krijon një perceptim të gabuar për marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe për shkak të problemeve që hap në lidhje me sekuestron konservative të pronave të qytetarëve shqiptarë, veçanërisht atyre çamë”, deklaroi Basha. Ndër të tjera, ai ka vlerësuar si bazë shumë të mirë dhe solide, traktatin e vitit 1996, të “miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë e sigurisë” mes dy vendeve, për të zgjidhur çdo problem të mbetur dhe për të nxitur dhe forcuar bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy vendeve. Duke iu referuar njoftimit të bërë nga Bashkia nuk bëhet e ditur se cili ka qenë reagimi i Papulias në lidhje me këtë temë. Basha ka theksuar dhe trajtimin në frymën e bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë të të gjitha çështjeve të mbartura dhe “zgjidhjen duke demonstruar vullnet të përbashkët e vizion europian, si dy nga popujt më të vjetër të rajonit”.
 
INTEGRIMI
Kryetari i PD kërkoi mbështetjen e Greqisë, që merr presidencën e radhës së BE, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014, për hapjen e negociatave, duke shprehur angazhimin e opozitës, për të dhënë kontributin e saj për marrjen e statusit në dhjetor e për hapjen e shpejtë të negociatave për anëtarësim. Nga ana e tij Presidenti grek, Papulias ka theksuar se viti 2014 është mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi Greqia dhe Italia marrin njëra pas tjetrës presidencën e BE. “Ne do t’ju mbështesim, me shpresën që procesi i integrimit europian i Shqipërisë të ecë përpara, gjatë presidencës sonë”, është shprehur presidenti grek Papulias.
 
Shkrimi u publikua sot (6.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com­)