Në dekadën e fundit, një e treta e popullsisë në qytetin e Prrenjasit dhe fshatrat përreth është larguar për shkak të papunësisë. Qyteti që dikur nxirrte mijëra ton hekur e nikel, sot ka fare pak mundësi punësimi në sektorin privat, në këto kushte shumica e të rinjve e kanë braktisur vendlindjen. Në rrugët e lulishten e qytetit takojmë vetëm të moshuar, të cilët shprehen:

“Ka ikur rinia jashtë se këtu ska punë, ka mbetur mosha jonë që kemi mbetur se skemi ku të shkojmë.”

“Këtu o do vjedhësh po do vrasësh, tjeter gjë s’ke ç’bën!”.

“Këtu është bërë masakër, makineritë e minierës u vodhën për skrap. Pas viteve ’90 u shkatërrua gjithçka”.

“Këtu s’ka as punë as gjë, shumica kanë ikur në emigrim”.

Kryetari i Bashkisë së Prrenjasit, Nuri Belba tha në një bisede telefonike se të rinjtë që kryejnë studimet në Tiranë nuk dëshirojnë të kthehen më, në qytetin e vogël juglindor. Po kështu shumë familje, sidomos nga fshatrat janë zhvendosur në kryeqytet, e disa të tjerë kanë marrë rrugët e emigrimit, kryesisht në Gjermani.

Referuar regjistrit të gjendjes civile, një dekadë më parë Përrenjasi numëronte 31 mijë banorë, sot kanë mbetur afro 20 mijë, ku 70 për qind e tyre jetojnë në zonat rurale dhe vetëm 7 mijë banorë në qytet.