Një delegacion iranian me numër të kufizuar do të zbarkojë në Nju Jork të martën për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ndërsa Presidenti Donald Trump lavdëron mundësinë e "gjërave shumë të mëdha" që pritet të ndodhin, në mes të luftës në Lindjen e Mesme.

Si një anëtar themelues i OKB-së, Irani ka ruajtur një prani në ‘ngjarjen diplomatike globale’ për dekada të tëra, të udhëhequr së fundmi nga presidenti i vendit, Masoud Pezeshkian, dhe paraardhësi i tij, Ebrahim Raisi.

Por prania e delegacionit të Iranit këtë vit, në territorin e një vendi me të cilin mbetet në luftë, është e pashembullt në vitet e fundit.

Administrata Trump ka thënë se do të lejojë që “delegacioni kryesor” i Iranit, i cili do të përfshijë Pezeshkian, të vijë në Nju Jork.

Delegacioni i këtij viti do të jetë më i vogël se gjatë mbledhjes së vitit 2025, muaj para se të fillonte lufta SHBA-Iran, tha të enjten një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Përbërja e saktë e delegacionit të Iranit nuk dihet ende, por media shtetërore iraniane raportoi se Pezeshkian do të udhëtojë për në Nju Jork të martën.

“Në përputhje me detyrimet e vendit pritës, delegacioni kryesor nga regjimi iranian do të marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

“Delegacioni do të jetë nën kufizime udhëtimi dhe do të përballet me ndalime për blerjen e mallrave luksoze dhe të tjera sipas politikës sonë (të sanksioneve)”, tha zyrtari.

Seksioni 11 i Marrëveshjes për Selinë e OKB-së thotë se autoritetet amerikane “nuk do të vendosin asnjë pengesë” për zyrtarët e OKB-së ose përfaqësuesit e shteteve anëtare për të udhëtuar për në ose nga selia e Nju Jorkut.