Në dy raste brenda 7 muajsh, Partia Socialiste në qeveri dhe Partia Demokratike në opozitë, mes sherreve dhe akuzave të rënda ndaj njëra tjetrës, kanë gjetur momente ‘paqeje’ për të bërë më shumë se 100 vota në Kuvend për të ndryshuar 2 herë Kodin Zgjedhor.
Në fundkorrikun 2024, 106 kartonë jeshilë u ngritën për të bërë të mundur votën e diasporës dhe ndryshimin e formulës së llogaritjes së mandateve, me lista të mbyllura dhe të hapura, ndërsa në shkurt 2025 ligjit zgjedhor mes lehtësive për ta bërë të mundur votën e diasporës, iu miratuan pa bujë edhe shtimi i kohës televizive për kandidatët, veçmas nga partia, si dhe rritja e financimeve në fushatë.
Por në të dyja rastet, edhe pse ndryshime thelbësore që e prekin në themel demokracinë dhe barazinë në proces zgjedhor, është përjashtuar ‘lentja’ gjinore.
T’i marrim me radhë të dyja ndryshimet. I pari ai i korrikut 2024, i argumentuar si ndryshim i detyruar për të zbatuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese që kërkonte 2/3 e listës së kandidatëve të hapur për votim, revolucionarizoi mënyrën e shpërndarjes së mandateve, me lista të mbyllura dhe të hapura. Edhe pse me ndërhyrjen e shoqërisë civile dhe Aleancës së Grave Deputeteve u bë e mundur që kuota 30% të respektohet edhe në shpërndarjen e mandateve në listën e hapur, konfigurimi i listave të mbyllura mund të ndikojë ndjeshëm në përfaqësimin e grave në Parlament.
Tani që listat i kemi të konfiguruara nga të dyja subjektet kryesore zgjedhore për 11 majin, lejohet të bëhet një analizë. Duke qenë se në listat e Partisë Socialiste vihet re se vullneti partiak ka bërë që në listat e mbyllura, të konsideruara si mandate të sigurta, ka 24 kandidate për deputete nga 46 kandidatë gjithsej, pra më shumë se 50%, analizën do ta bëjmë mbështetur në listën e “Aleancës për Shqipërinë Madhështore” në këto zgjedhje. Në 10 nga 12 qarqet aleanca opozitare ka vendosur gra dhe vajza vetëm aq sa e detyron kuota gjinore, ndryshe listat nuk do të pranoheshin. Vetëm në Lezhë dhe në Dibër, dy qarqe ku mes 2 kandidatëve në lista të sigurta është edhe një grua. Në të 10 qarqet e tjera kandidatet gra janë vetëm aq sa duhet për të respektuar detyrimin ligjor. Rastet më flagrante janë qarqet Fier, Elbasan dhe Durrës, ku mes 5 emrave në listën e mbyllur është vetëm një grua e tretë, apo qarqet Vlorë dhe Shkodër ku nga 4 kandidatët të konsideruar të sigurt është vetëm një grua. Shto këtu edhe mundësinë që në të gjithë këto qarqe, 2 fituesit e parë në listën e hapur mund të jetë një burrë atëherë diferenca do të ishte shumë më e madhe. Me Fierin, Elbasanin dhe Durrësin, ku nëse PD do të merrte 7 deputetë, 6 mund të jenë burra dhe vetëm një grua. Partia Demokratike në listat e mbyllura ka vetëm 12 gra nga 46 deputetët të konsideruar si të sigurt, pra vetëm 26%.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e konsideron shqetësim serioz mekanizmin që mund ta ulë ndjeshëm përfaqësimin e grave dhe se ndryshimi mund të ketë pasur pikërisht qëllimin për të ruajtur dominimin e burrave.
“Kur një qark si Fieri ka vetëm 5 vende në listën e mbyllur dhe ka detyrimin që vetëm një prej tyre të jetë grua, atëherë realisht po krijohet një mekanizëm që mund të ulë përfaqësimin e grave. Kjo tregon se ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor mund të jenë bërë me një llogari shumë të qartë për të ruajtur dominimin e kandidatëve tradicionalë, kryesisht burra, në pozitat e sigurta. Në vend që të krijojmë më shumë mundësi për gratë në politikë, po krijojmë mekanizma që i bëjnë më të pafuqishme brenda sistemit. Kjo është arsyeja pse ne kemi insistuar gjithmonë që barazia gjinore nuk duhet të jetë vetëm një çështje kuotash, por edhe e mekanizmave konkretë që sigurojnë pjesëmarrje të barabartë”, thotë Tabaku.
Pavarësisht këtyre sfidave, shoqëria civile ka advokuar në mënyrë aktive për ndryshime legjislative për të adresuar pabarazitë gjinore në financimin politik. Një nismë e dukshme u drejtua nga Rrjeti i Barazisë së Grave në Vendimmarrje (EDM), i cili – bazuar në studimet e kryera gjatë zgjedhjeve të 2017 dhe 2021 dhe me mbështetjen e NDI – propozoi një ndryshim në Ligjin për Partitë Politike që kërkon që 10% e fondeve publike të alokuara për partitë politike të drejtohen në mënyrë specifike për forumet e grave të tyre. Objektivi ishte institucionalizimi i mekanizmave financiarë që mbështesin fuqizimin politik të grave brenda strukturave partiake.
Ky shqetësim u përsërit edhe gjatë një seance publike të Komisionit të Reformës Zgjedhore në shkurt të vitit 2024. “Gratë dhe vajzat kanë pasur zero akses në fondet publike të partive politike. Ne sugjerojmë që Kodi Zgjedhor, rregulloret në zbatim të tij dhe Ligji për Partitë Politike të përfshijnë një mekanizëm që garanton akses të barabartë ose proporcional për gratë dhe vajzat në financat publike të partive politike”, apelonte Rrjeti.
Propozimi u diskutua me gratë deputete dhe me Aleancën e Grave Deputete, të cilat shprehën mbështetjen e tyre dhe konsideruan paraqitjen e tij si një amendament ligjor formal. Në këtë kuadër, deputetja Monika Kryemadhi mori iniciativën për të paraqitur një projekt-amendament në Ligjin e Partive Politike, ku propozohej që të paktën 10% e fondeve publike të akorduara për partitë politike të drejtoheshin automatikisht në strukturat e grave të partive. Edhe pse gratë deputete shprehën dakordësi dhe u dorëzua një draft amendament, nuk janë ndërmarrë hapa të mëtejshëm nga partitë politike apo deputetet për të avancuar apo miratuar propozimin. Kjo nënvizon edhe një herë mungesën e vazhdueshme të vullnetit politik dhe rezistencën sistematike për integrimin e barazisë gjinore në kulturën politike të Shqipërisë.
Ndërsa për deputeten e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, edhe pse pas insistimit të aleancës së grave u arrit që të vendosej kuota gjinore edhe në listën me votim parapëlqyes, në listën e mbyllur rreziku ekziston.
“Padyshim që ne do të shohim implementimin e kuotës në zgjedhje, por do të ishte një regres shumë i madh për vendin në qoftë se kuota gjinore me parashikimet e reja nuk do të arrinte përfaqësimin real në Kuvend. Është shumë e rëndësishme që kjo të arrihet”, thekson Xhixho.
Megjithatë edhe pse Xhixho e thekson se ndërhyrja në minutën e fundit e garanton që gara në listat e hapura të jetë mes grave për përfaqësimin e tyre të paktën 30%, ndryshimet e shkurtit për kohën televizive dhe financimin elektoral nuk e patën parasysh fare lenten gjinore. Asnjë kohë televizive e dedikuar vetëm për gratë dhe asnjë kuotë financiare e parashikuar vetëm për gratë.
“Është e qartë që këto ndryshime janë fokusuar kryesisht tek hapësirat mediatike dhe financimi i fushatës, por pa një vëmendje të posaçme ndaj përfaqësimit gjinor. Kjo tregon edhe një herë se, pavarësisht progresit me kuotat gjinore, politika shqiptare ende nuk e sheh barazinë gjinore si një çështje prioritare përtej detyrimeve ligjore. Kur ndarja e mandateve bëhet mbi baza gjinore, do të ishte e natyrshme që edhe rregullat e fushatës të kishin një qasje të balancuar gjinore, por kjo është ‘harruar’ sepse mungon vullneti politik për ta adresuar në mënyrë substanciale dhe jo vetëm formale”, vlerëson Jorida Tabaku, deputete aktuale e Partisë Demokratike, e cila do të garojë në këto zgjedhje në Tiranë, për të kërkuar votën në listën e hapur.
“Është e vërtetë. Nuk kemi asnjë parashikim incentivues financiar për gratë dhe vajzat në fushatën elektorale. Kjo ka qenë një kërkesë e vazhdueshme jo vetëm e Aleancës së Grave Deputete, e shoqërisë civile, për të pasur një mbështetje më të madhe për vetë vështirësitë që ka terreni shqiptar. Kjo nuk ka gjetur fatkeqësisht ende mbështetjen e mjaftueshme, edhe në Kuvend. Kjo ndodh edhe për shkak se ende partitë politikë garën e grave dhe vajzave e konsiderojnë si të rëndësishëm vetëm të kuota dhe nuk e vlerësojnë si të tillë aksesin në financim”, thotë Erisa Xhixho, ligjvënëse e Partisë së Lirisë.
Por pse Shqipëria ende nuk e ka një ligj detyrues që financimi me paratë publike për partitë politike të jetë i dedikuar një pjesë edhe për gratë dhe vajzat në politikë?
“Partitë politike në Shqipëri ende funksionojnë me një model të centralizuar dhe burrat mbeten dominues në procesin e vendimmarrjes financiare. Ndryshe nga Partia e Lirisë që ka një rregull të tillë në statut, shumica e partive të tjera nuk e kanë përfshirë këtë mekanizëm, sepse nuk duan të krijojnë struktura të pavarura brenda partisë që mund të kërkojnë më shumë hapësirë dhe ndikim. Për ta, strukturat e grave shpesh janë më shumë simbolike sesa realisht të fuqizuara. Nëse do të kishte një detyrim ligjor për ndarjen e një përqindjeje të fondit të partisë për këto struktura, atëherë do të shihnim ndryshim të vërtetë”, thotë Tabaku.
“Partia e Lirisë që nga Konventa e fundit e 27 prillit, e ka të sanksionuar tashmë me statut aksesin në financat e partisë nga kandidatët gratë dhe vajza dhe kjo do të implementohet që në zgjedhjet e vitit 2025. Është e vetmja forcë politike që e ka sanksionuar këtë parim dhe ky fakt e tregon prioritetin që i jep forca jonë politike grave dhe vajzave por edhe të rinjve. Duhet të ketë një amendim të Kodit Zgjedhor sepse është një mënyrë e domosdoshme për të garantuar pavarësi financiare, barazi dhe mundësi gare reale në zgjedhje”, konkludon Xhixho.
Përmirësimi i ndjeshëm i pjesëmarrjes së grave anëtare në Parlamentin e Shqipërisë u bë i mundur pas përfshirjes së kuotës 30 % në ndryshimet e kodit elektoral, në vitin 2008. Duke filluar nga zgjedhjet e një viti më pas në 2009-n pjesëmarrja e grave në parlament u dyfishua menjëherë dhe rritja ka qenë konstante. Progresi sigurisht rrezikohet nga ndryshime të tilla Kodi, si këto të fundit, të bëra me nxitim dhe ku barazia gjinore ‘harrohet’. Përfaqësimi i grave nuk mund të lihet në dorë të vullnetit të partive politike. Aksesi i kandidateve gra dhe vajza në Financat e Partive Politike, sidomos ato publike, është imperativ dhe ndryshimet janë të domosdoshme duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme vendore.
Komente












