VLORË-Policia ka arrestuar dy persona, të cilët akuzohen për disa grabitje të ndodhura në muajin gusht në qytetin bregdetar. Të arrestuarit janë Astrit Lushaj 39 vjeç dhe Stiliano Arizi 34 vjeç, të dy banues në Vlorë.

Ata u arrestuan, pasi dyshohen se në lagjen "Ujë i ftohtë" i kanë vjedhur portofolin një personi me inicialet K.B. ndërsa nga hetimet rezultoi se ishin autorë edhe të katër grabitjeve të tjera.

Grabitjet
1- Më datë 29.08.2018, është vjedhur banesa e shtetasit I.D, ku është marrë shuma prej 1500 Euro

2- Më datë 21.08.2018, kanë tentuar t'i vjedhin banesën shtetasit E.D

3- Më datë 17.08.2018, në banesën e shtetasit B.K, i janë vjedhur 65.000 lekë dhe bizhuteri me vlerë.

4- Më datën 05.08.2018, është tentuar të vidhet banesa e shtetasit A.Ç.

Materialet i janë referuar Prokurorisë në ngarkim të tyre për veprën penale "Vjedhja" e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 134 dhe 25 të Kodit Penal. Në muajt e fundit në jug të vendit, por jo vetëm janë regjistruar disa grabitje të banesave, ndërsa disa nga autorët janë arrestuar.