Paradigma lirike në
poezinë e Nikolla Spatharit

Paradigma lirike në<br />poezinë e Nikolla Spatharit
Erotika e Spatharit është e lezme, siç do ta quante Martin Camaj, por herë-herë edhe e ashpër, shpërthyese, e kushtëzuar nga marrëdhëniet komplekse të dashurisë....

Nikolla Spathari, autor me një gamë të gjerë në fushën e letrave si shkrimtar humorist, poet, reporter, studiues, shkrimtar për fëmijë, si dhe me një hapësirë të gjatë kohë si krijues, ka bërë emër dhe është shquar me veprën e tij, por mendoj se me krijimtarinë poetike ka arritur vlerat më cilësore. Ndryshe nga shumica e poetëve, që lulëzimin e talentit poetik  e kanë pasur në moshë të re, Nikolla Spathari pjekurinë e poezisë e ka arritur me pjekurinë e moshës.

Ne kohën e realizmit socialist (që as realist nuk ishte, as socialist mund të ishte se nuk ishte nocion artistik) edhe Nikolla nuk mund t’i shmangej retorizmit e patetikës, si të gjithë poetët e asaj periudhe historike, por evoluimi i tij si krijues, si te shumë shkrimtarë të tjerë pas rënies së diktaturës, na solli një poezi të re e te freskët.

Edhe në ditët e sotme ai nuk i shmanget krijimtarisë së angazhuar, përkundrazi uni i tij poetik shkrihet shpesh me shqetësimet, problemet e interesat e shoqërisë e të atdheut, duke ecur kështu në vazhdën e traditës sonë poetike, po dhe të asaj botërore.  
Vetëm lum  rri  zgjuar
Dhe  era  që   çon  monologun  gjer në   fund,
Mbi  fjalëkryqin     e    së   ardhmes
Rri  zgjuar     dhe  unë...

(Natë në   Shkodër)
Poezia lirike, sidomos ajo e dashurisë, i ka dhënë ngjyrën e tonin mbizotërues krijimtarisë poetike të Spatharit dhe zë një vend të konsiderueshëm e më cilësor në diapazonin e saj semantik dhe emocional. Shprehja e ndjenjave të dashurisë erotike, situatat e marrëdhënieve  dashurore, dramat reale e virtuale me femra të ndryshme në kohë e vende të ndryshme kanë shkallëzime e ngjyresa që variojnë nga ndjesitë e moshës së adoleshencës, të rinisë e burrërisë.
 
Se   ndjenjat   tek  unë  nuk  janë thinjur,
Ashtu siç  nuk  thinjen    perënditë,
Si   thua, t'i  hedhim     në  zjarr pasaportat
Dhe  porta ylberesh   të   hapim çdo  ditë?!  
  

(Në djall pashaportat)
 
Shndërrimi në motiv i një situate dashurore, ndarjet, braktisjet, shpërthimet e xhelozisë etj. perceptohen nëpërmjet një subjektivizmi të çiltër madje herë-herë të ashpër. Egocentrizmi  i heroit lirik të Spatharit përshfaqet e kristalizohet duke na dhënë një figurë burrërore, larg lektisjeve sentimentale ose përbetimeve të eksagjeruara romantike. Ai është njeri pasionant, i përmbajtur dhe i guximshëm, por në të gjitha situatat e gjendjet psikike mbetet thellësisht njerëzor. Autori nuk ndruhet të shpreh poetikisht edhe koncepte të një dashurie të lirë, çka i jep ndjenjës doza eksplicite sinqeriteti. Spathari, sa larg i qëndron frymës anakronike të poezisë, po aq kujdes tregon për të mos rënë pre e joshjes së një poezie që konvencionalisht do ta quaja “lakuriqe” ose “të paturpshme”. Duke shpalosur një botë shpirtërore  të pasur e të larme, nga simpatitë e çastit deri te gjakimi i zjarrtë, poeti manifeston një shkallë të lartë ndjeshmërie e sensualiteti. 
 
“Mos kërko të ta këndoj më këngën tënde!
 
Te varri i erës vdiq melodia,
Zëri im mori formën e dashurisë dhe iku
Në   qiej ku   s'ka kuptim     pabesia.
 
U thye akustika e muzgut
Në mallin e këngës që nën yje u shemb,
Tani mund të vish e ta marrësh kitarën
Dhe  ta   bësh copë-copë  te   një  shkëmb.”

(Kënga     jote)
 
Lirizmi në poezinë e Spatharit gërshetohet me meditimin, po deri në atë shkallë që nuk i prish raportet mes tyre, çka e ka ruajtur  për të mos rënë në cerebralitetin që ngrin ndjenjën dhe shua imazhin poetik. Duke qenë më tepër reflektive sesa meditative, kjo lirikë nuk e humbet kurrënjëherë piksynimin e autorit për të komunikuar lirshëm me lexuesin.

Nikolla Spathari është njohës e studiues i etnografisë e folklorit të veriperëndimit të Shqipërisë. Ndikimi i këngëve popullore në poezinë e tij lirike është e qensishme, por na vjen i tejdukshëm, i plazmuar me finesë, në frymë. Poeti e ka shmangur me mjeshtëri rënien në imitim formal e shabllon të poezisë popullore, pra në folklorizëm të rëndomtë si një pjesë e poezisë sonë e viteve ’50 e ’60 të shekullit të kaluar.
Do të ishte e verbër një poezi erotike nëse në një mënyrë ose një tjetër nuk do të ”pikturonte” bukurinë e hijeshinë e të dashurës  së zemrës të heroit lirik, i cili jo domosdoshmërisht duhet njëjtësuar me poetin. Penelatat e Spatharit janë të kursyera, po ekspresive, lakonike dhe larg hiperbolizimeve që karakterizojnë një pjesë të poezisë tradicionale.

Erotika e Spatharit është e lezme (siç do ta quante Martin Camaj), por herë-herë edhe e ashpër, shpërthyese, e kushtëzuar nga marrëdhëniet komplekse të dashurisë. Dihet që dashuria dhe urrejtja, xhelozia, shpërfillja, zhgënjimi bashkudhëtojnë në format më paradoksale të ekzistencës sublime të botës shpirtërore të njeriut, kushdo qoftë ky, në çdo vend e në çdo kohë. Në disa poezi autori nuk i shmanget as zemërimit, as paradokseve, as humorit.

“Më lini këtu
në viset e largëta të braktisjes,
te mështekna e cunguar
nën britma suferine,
ku mungon tashmë intimiteti i pritjes,
ku s’ka më vend as në shpresën time.” (Braktisja)
Nëpërmjet një ironie të dukshme buron humori në këto vargje:
“Ti thua se në buzë
T’ka mbetur vetëm helm.
Vërtet, çdo pikë mjalti
nga buzët e tua është tretur
dhe tani atje
vetëm helm ka mbetur?!
S’ka gjë,
unë farmakut tënd i gëzohem,
por më thuaj, kur të vij
e të helmohem?” (Shiu)
Ja si i drejtohet heroi lirik krutanes së bukur, e cila ka sfiduar me hezitimin e saj:
“Të të them bëhu imja
doemos jam gati,
por s’dua të thyhem në muret e Krujës
siç u thye dikur Sulltan Murati.” (Bëhu imja)
Ja dhe një “deklaratë” paradoksale:
“Dashuria jonë është çmënduri,
 por çmënduritë janë më të bukurat.”

(Eja të ikim)
 
Vizioni poetik i këtij poeti është i pandarë nga natyra. Ai e gatuan  brumin e qelqtë të motivit me elemente që e rrethojnë, të cilat i lirojnë ndjenjat e kundërta, duke i shkëputur nga gravitacioni i egoizmit të natyrshëm njerëzor. Natyra nuk është vetëm skena ku zhvillohen e këndohen motivet e dashurisë, po dhe elementet figurative me të cilat autori operon si hëna, yjet, deti, lumi, drurët, hijet, era, stuhitë. Ai i shpirtëzon këto dhe në vorbullën e ndjenjave i percepton si një amalgamë në lëvizje të ndezur nga pasioni.
 
Tek fantazmat e hijeve
Erdhi hëna,
Si një çupë e ndrojtur
Që don të shuaj mallin,
U iku yjeve dhe ra shpejt te pellgu
Në një idil të çuditshëm me malin.
Kështu dhe ne në një natë yjesh,
Duke shpërndarë rreze të rëna,
U gjetëm së bashku në pasqyrat e pellgut,
Siç u gjetën sonte mali dhe hëna.

(Pasqyrimi)
 
Gërshetimi i detajeve konkrete jetësore me një metaforikë të goditur funksionale, po aspak të rënduar, e gjallëron imazhin në këto lirika dhe e bën të komunikueshme ndjenjën që synon të transmetojë poeti. Ky procedim stilistik, që flet sa për intuitën, aq dhe për përpunimin e kujdeshëm mjeshtëror të çdo vargu të poezisë, realizon atë që e quajmë ekonomizim të fjalës e të figurës stilistike.

Poeti ka përdorur larmi vargjesh tetë e gjashtë rrokësh tradicional, deri te vargjet e lira, të cilat kanë veçoritë e tyre, sa herë-herë mund të pranohen si vargje të thyera, ku nuk mungojnë rimat, asonancat e konsonancat. Duhet të vë në dukje një karakteristikë metrike të vargëzimit të Spatharit: Përdorimi i rimës në poezitë me vargje të lira vetëm në vargune tretë (nga fundi) me vargun e fundit të strofës. Poetit ia do veshi tingëllimën e rimës edhe si mbështetje akustike e përfundimit të strofës e të poezisë.

“Mollët presin këputjen biblike,
por Eva
mbi degë i ka harruar,
ajo ka ikur me mua atje ku bëhen mëkate moderne.
Mëkati i mollës është shumë i vjetruar.”

(Eva dhe mollët)
 
Po e mbyll  duke përmendur një thënie domethënëse  të kritikut të mirënjohur Benedeto Kroçe: “Jeta perëndon, po dhe perëndimi ka bukurinë e vet; edhe ai sjell diçka, që rinia nuk e ka, dhe e plotëson me dhuntitë e veta atë që humbet nga ana tjetër.”


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Tiranë, 22 vjeçari merret forcërisht në makinë dhe dhunohet, 3 të arrestuar

Tiranë, 22 vjeçari merret forcërisht në makinë dhe dhunohet, 3 të arrestuar