Paradoksi i një elite të korruptuar në Shqipëri: Nga SHBA-të kërkon ‘pavarësi’, popullit i premton demokraci

Paradoksi i një elite të korruptuar në Shqipëri: Nga SHBA-të kërkon ‘pavarësi’, popullit i premton demokraci

Një media e njohur në SHBA aludoi pak vite më parë, se ish-Presidenti Donald Trump, ishte i pa aftë që të drejtonte vendin. Sipas artikullit që bëri bujë, Trump kishte biseduar në një takim për gjëra të tjera pa asnjë lidhje me temën e bisedës dhe në një rast tjetër kishte qeshur kot, kur i duhej të ruante seriozitetin.

Tinëzisht krahas aludimit në brendësi të artikullit një mjek i njohur psikiatër ishte pyetur për të tilla simptoma, pa u informuar se pas tyre qëndronte njeriu më i fuqishëm në botë. Mjeku ishte shprehur se persona me simptoma të ngjashme ishin ndër pacientët e tij më të rregullt. Kaq u desh që media amerikane të bënte një lidhje, në fakt tendencioze, dhe të ngrinte para publikut dyshime të forta mbi shëndetin mendor të Trump. Por menjëherë pas artikullit, gazeta që e publikoi atë dhe të tjerat që iu referuan përfunduan në gjyq.

Cili ishte vendimi?

– A ka probleme mendore Presidenti, – e pyeti gjykatësi avokatin mbrojtës të Trump.

– Jo, – ishte përgjigja e tij e prerë.

– Çfarë prove keni për të rrëzuar artikullin? Shkoni dhe më sillni analizat e Presidentit nga një mjek psikiatër? – urdhëroi gjyqtari.

Trump u detyrua të bënte analizat e shëndetit mendor. Dhe rezultoi plotësisht i aftë, pa asnjë problem rreth shëndetit të tij mendor, siç ishte aluduar. Gjykatësi pasi lexoi vendimin shtoi se, Presidenti ndryshe nga aludimet e mediave ishte i aftë mendërisht. Ai urdhëroi mediat që kishin ngritur dyshime të publikonin rezultatin e analizave pa asnjë koment shtesë dhe para se të mbyllej gjyqi i tha avokatit që, Presidenti sipas dëshirës, të njëjtin rezultat t’ia paraqesë publikut në rrjetet sociale, për t’i treguar të vërtetën e tij, pra, që ishte mirë me shëndet.

SHBA konsiderohet gjerësisht si një model i demokracisë në botë, sepse udhëhiqet nga rregulla dhe ligje, para të cilave ndihen të gjithë të barabartë, që nga Presidenti i pari, deri tek i fundit, qytetari më i thjeshtë. Sistemi i tyre i drejtësisë nuk udhëhiqet nga asnjë parti, individ apo grup i caktuar, qoftë me status të veçantë në shoqëri, ose qoftë i privilegjuar.

Është drejtësia që orienton një komb kaq të madh dhe të lirë, i krijuar nga bashkimi i 50 shteteve me mbi 300 milion banorë, i përbërë nga etni, raca, kultura dhe besime të ndryshme.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës hyri në fuqi më 4 mars 1789 dhe prej asokohe ligjet, rregullat, zbatueshmëria e tyre janë përsosur, sepse së pari, nga shërbëtorët e shtetit ato zbatohen me përpikmëri dhe besnikëri.

E megjithatë, elita intelektuale në SHBA debaton sot për të pasur një sistem akoma edhe më të përsosur, akoma më të drejtë. Një ndër analistët më të njohur të së drejtës pretendoi kohët e fundit se rreth 70 për qind e studentëve që po studionin në universitetet më të mira (me një tarifë rreth 40 mijë dollarë në vit) prej nga ku përzgjidheshin kryesisht prokurorët dhe gjyqtarët e ardhshëm, jo rastësisht për dallime ekonomike i përkisnin shtresave më të pasura. Kësisoj, ai ngriti dyshime të arsyeshme se gjyqtarët që do të dilnin kryesisht nga shtresat e pasura do të ishin më të predispozuar të mbronin të pasurit kundrejt të varfërve, ndaj edhe për të shmangur rrezikun e mundshëm të krijimit të ndonjë elite të korruptuar shtroi nevojën për një reagim në kohë të shtetit, që fëmijëve të talentuar në mësime të cilët vinin nga shtresa të varfra, t’iu jepeshin më tepër bursa në fushën e drejtësisë.

Ishte fatkeqësi kombëtare që pas rrëzimit të sistemit komunist, një vend me vetëm 3 milion banorë, ku në çdo qytet njerëzit besojnë se e njohin mjaftueshëm mirë njëri-tjetrin, gjatë viteve të tejzgjatura të tranzicionit, ky vend, elita politike e të cilit predikoi demokraci dhe drejtësi, paradoksalisht punësoi në drejtësi ‘xhepistë ordinerë’ që zhvatnin përgjithësisht qytetarët e thjeshtë, ndërsa enigmatikisht dhe rregullisht “e drejta” anonte nga pushteti ekonomik e politik.

Por, po aq mund të konsiderohet fat i madh që Shtetet e Bashkuara të Amerikës projektuan, financuan dhe i dolën garant popullit shqiptar, për implementimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi. Në një kohë kur procesi ‘vetting’ ende nuk ka përfunduar, ka skeptikë, hileqarë, të lodhur nga shamata e vazhdueshme e politikës së ditës, të ‘dehur’ me padrejtësitë dhe pasuritë, por edhe të paduruar. Ata kërkojnë që pas vetëm 3 vjetësh Shqipëria të kishte arritur sot rezultatet e sistemit të drejtësisë që Amerika ngriti dhe arriti për 3 shekuj.

Nuk kanë shumë dilema shumica dërrmuese e shqiptarëve, mbi nevojën e domosdoshme të Reformës në Drejtësi, që deri tani ka nxjerrë jashtë sistemit mbi 70 për qind të gjykatësve dhe prokurorëve. Ata u përjashtuan kryesisht nga kriteri i pasurisë së pajustifikueshne, ose ngaqë patën probleme mbi aftësitë morale dhe profesionale. Politika, media, intelektualët, rinia, e tërë shoqëria, duhet të bëhet pjesë e një debati të shëndoshë që kjo reformë, të mos dështojë, duke denoncuar me fakte çdo shkelje, pengesë apo përpjekje për baltosjen e saj, si edhe e vetmja shpresë që Shqipëria të bëhet një vend normal dhe i jetueshëm për të gjithë.

Ata që thonë se Shqipëria për shkak të reformës mbeti për shumë kohë pa gjykata, ata të cilët ‘vajtojnë’ hallin e qytetarëve se mbetën me dosje nëpër duar pa e gjykuar, mbase nuk kanë nevojë për t’u sqaruar: Më mirë do të ishte nesër një drejtësi qoftë edhe e vonuar, apo sot ashtu sikurse keq e më keq akoma ajo e djeshmja, një e drejtë e mohuar pas një vendimi tërësisht të korruptuar.

Njësoj si në drejtësi, paralelisht me pak vullnet karriera e çdo zyrtari në Administratë mund të verifikohet lehtësisht, nëse përmbush të njëjtat kritere: justifikim i pasurisë, integritet moral dhe profesional.

Çdokush nëse kërkon të përshpejtojë reformimin e sistemit ku ai bën pjesë, duhet të nxitet përmes një debati të ndershëm dhe të inkurajohet që të denoncojë çdo individ që ndjek ose është edukuar dhe punësuar për të ndjekur ‘parime shtetformimi’ si falsifikimi, trafikimi, abuzimi, dhe në fund pasurimi.

Çdo përpjekje për pastrimin e politikës, arsimit, shëndetësisë, tërë Administratës që ka menaxhuar dhe administron paratë publike, nga ‘juri’ ose komisione të specializuara në ‘pastrim’ do të jetë thjesht humbje kohe.

Një vend si yni nuk ka asnjë ditë kohë për të humbur, as luksin për të dubluar organet e reja të drejtësisë, përkundrazi, po lufton me kohën e humbur, me ndihmën e ndërkombëtarëve për të ngritur shtyllat bazë që të garantojë funksionimin normal të shtetit të së drejtës dhe tërë shoqërisë.

Njerëzit e mëdhenj kanë lënë trashëgimi dhe porosi të shumta, mbi shtetin e së drejtës, por jo të gjithë duan t’i ndjekin, duke thënë për shembull që kompromisi, që s’është tjetër veçse heqja dorë prej një të drejte a një të mire, me shpresë të ruhet një tjetër, shumë shpesh përfundon me humbjen e të dyjave.

Apo kur kanë thënë se ligjet bëhen për njerëzit e thjeshtë, prandaj ato duhet të bazohen në rregullat e thjeshta të gjykimit të shëndoshë. Pikërisht sepse rendi i gjërave synon ta prishë barazinë midis njerëzve, fuqia e ligjit duhet drejtuar gjithmonë në ruajtjen e kësaj barazie, që një vend të zhvillohet normalisht askush nuk ka ngritur nevojën për të bërë ndokush ndonjë shpikje mbi shtetin e së drejtës.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona