Kryqëzimi i ish-Stacionit të Trenit me Bulevardin “Zogu i Parë” dhe Bulevardin e Ri është një nga pikat më problematike të trafikut në kryeqytet. Dyndja e makinave dhe njëkohësisht moskoordinimi i semaforëve sjell një parregullsi të madhe në shumë orare të ditës.

Automjetet në këtë pikë vijnë nga katër drejtime të ndryshme. Në pjesën më të madhe të kohës, drejtuesit e makinave presin me minuta të tëra për të kaluar.

Ngërçi në këtë pikë të Tiranës në disa raste zgjidhet me efektivë të Policisë Rrugore që shpërndajnë trafikun, por rreth orës 11:00 që Report Tv ishte këtë tëpremteasnjë polic nuk dukej afër.

Problem mbetet edhe mosrespektimi i semaforëve. Automjetet që vijnë nga Bulevardi i Ri vazhdojnë të lëvizin në tre drejtime, ndërkohë që u lejohet vetëm në dy: Drejt bulevardit “Zogu i Parë”, si dhe në drejtim të Zogut. Por shumë shoferë marrin edhe drejtimin për në Unazë. Kështu, krijohet mundësia që makinat që vijnë nga Bulevardi Zogu i Parë dhe që duan të vijojnë drejt Zogut të Zi të përplasen me automjetet që dalin në shkelje të semaforit në drejtim të rrethrrotullimit të Zogut të Zi. Me këtë kaos shoferët janë të detyruar të presin për minuta të tëra, përfshi edhe faktin që hapja e semaforit jeshil në disa pika është vetëm për pak sekonda, që nuk ofrojnë lehtësimin e trafikut në këtë zonë.

Prej disa ditësh Report Tv ndjek situatën e trafikut në një tjetër pikë problematike.

Nga Kthesa e Kamzës në drejtim të zonës së Astirit, qytetarët janë të detyruar të presin me radhë të gjata për të hyrë në drejtim të Tiranës. Trafiku i rënduar i ditëve të fundit nuk është normalizuar edhe sot.

Situata është e ndikuar nga punimet për Unazës e Madhe, që vijon në lotin e parë. Por lehtësi do të krijonte hapja e qarkullimit për nga Lapraka dhe rruga “Dritan Hoxha”. Drejtuesit e makinave vijojnë të kalojnë orë ferri në pritje për të kaluar.