Kancelarja Angela Merkel u nderua nga mbreti spanjoll Felipe VI me Çmimin Evropian Karl V për meritat e saj për Bashkimin Evropian. Angela Merkel gjithmonë ka ofruar zgjidhje konstruktive, ka kërkuar kompromise dhe ka kontribuar në këtë mënyrë për Bashkimin Evropian dhe për marrëdhëniet veçanërisht të ngushta midis Spanjës dhe Gjermanisë, tha mbreti spanjoll Felipe VI.
Në fjalën e saj falenderuese politikania kristiandemokrate zgjodhi fjalë të qarta: “Nuk duhet ta mashtrojmë veten. Në BE po veprojnë prej disa kohësh forca centrifugale”. Këto lindin kur çimentoja e vlerave të përbashkëta bëhet e brishtë, kur BE-ja nuk përmbush premtimet e saj, kur ndodhin zhvillimet shoqërore me shpejtësi të ndryshme dhe kur dallimet ekonomike dhe sociale bëhen shumë të mëdha.
“Forca e Evropës varet nga sa e bashkuar është ajo”, theksoi Merkel. Kjo vlen si për politikën e jashtme ashtu edhe atë të sigurisë, migracionin, mbrojtjen e klimës dhe në përgjithësi për gjitha fushat në të cilat dikush dëshiron të formësojë globalizimin në kuptimin evropian.
Merkel bën thirrje për një linjë të përbashkët evropiane
Në mënyrë të veçantë Merkel bëri thirrje për një politikë të përbashkët evropiane për emigracionin. Pavarësisht nga vështirësitë nuk duhet pushuar derisa të arrihet një përparim, tha ajo lidhur me rezistencën prej vitesh të disa vendeve të Evropës Lindore kundër shpërndarjes së refugjatëve brenda BE-së.
Përveç Gjermanisë këtë e kërkojnë edhe një numër shtetesh të BE -së me kufij të jashtëm si Spanja, Italia dhe Greqia. Merkel gjithashtu mbrojti kursin e një politike të fortë financiare në BE. Kjo është mënyra e vetme për të garantuar që solidariteti mund të ushtrohet në kohë krize, tha ajo në fjalën e saj. Kancelarja theksoi gjithashtu rëndësinë e një linje të përbashkët në trajtimin e fuqisë në rritje të Kinës./DW