Paranojat “Soros”-iane, zbulojnë pendesën për votën pro reformës

Paranojat “Soros”-iane, zbulojnë pendesën për votën pro reformës

Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Është interesante të kuptosh përse Lulzim Bashës i duhet një teori konspirative çdo pranverë, në përpjekje për të bërë protesta. Si vitin e kaluar, dhe sivjet, filloi të masturbohet me teorinë e “armikut” Xhorxh Soros, i cili, sipas tij, është arsyeja e keqe e reformës në drejtësi.

Në çadrën e pranverës së kaluar, beteja “Donkishoteske” ndaj Soros-it, tejkaloi çdo limit dhe po imitonte betejën e Erdoganit kundër Gulenit. Me atë shpjegohej mos futja në zgjedhje, kundërshtimi i Vetingut, dhe po me të, dhe vrapimi për fonde ruse dhe përpjekja për një foto me Donald Trump.

Kur  një lider politik tenton të ngrejë teza politike bazuar mbi paranoja, ai është ose i sëmurë mendor, dhe si i tillë i rrezikshëm, ose pa asnjë ide dhe dhe viktimë e çdo idioti që i shpik kauza. Lulzim Basha ngjan të jetë rasti i dytë.

Xhorxh Soros-i, nuk ka asgjë për të fshehur si armik. Përveçse krenohet që është një spekulant i tregjeve financiare, ai është multimilardier, është financues i një rrjeti për demokracinë dhe shoqërinë e hapur, që ka mbështetur vendet ish- komuniste në Lindje, ka pasur bashkëpunëtorin më të afërt dhe të parin në Shqipëri, Sali Berishën, ka financuar shtypshkronjën “Demokracia” dhe për 15 vite rresht, nga 1991 deri në vitin 2005, ka përfituar gazeta “RD”, “Republika”, “Drita”, “Zëri i Rinisë”, “Bashkimi”, “Albania”, dhe superfinancuar gazetën “Koha Jonë” më 1996, me grant të veçantë. Ai ka ngritur një rrjet kopshtesh e çerdhesh në Shqipëri dhe ka shpenzuar mbi 200 milionë euro në projektin për arsimin dhe rindërtim shkollash, dhe është tërhequr nga ky aktivitet pas viteve 2000. Që nga Lulzim Basha e familjarë të tij, e deri tek antikomunistë “ekstremistë” të tij, janë financuar me bursa prej Soros-it, dhe mirë kanë bërë, se kanë hapur sytë në Europë dhe Rusi. Po ashtu, dhe plot të majtë, mes te cileve shquan Edi Rama.

Por fillimisht, Soros financoi të djathtën shqiptare, pasi donte të dekomunistizonte shoqërinë, dhe u mbështet tek ata. Po i përmend këto pa komplekse, ngaqë nuk jam përfitues i ndonjë fondi, qoftë dhe 1 dollar prej tij.

Soros është po ashtu një financues publik i së majtës liberale amerikane, një kundërshtar i pakompromis i disa presidentëve republikanë, sidomos i Xhorxh Bushit, dhe së fundmi Trumpit. Në Samitin e fundit në Davos, ai e sulmoi presidentin Trump, si një udhëqës që kërkon të ndërtojë një shtet mafioz, por që Amerika po i reziston, duke i marrë me një deklaratë gjithë vëmendjen e shtypit. Ai sulmoi po ashtu gjigandë, si Facebook dhe Google, si rrezik për të ardhmen. Jeton në SHBA në vitet e fundit të jetës dhe nuk besoj se ka ndonjë ide që po mban gjallë shpresat e një opozite në Shqipëri, me idenë që vdekja e tij, do shpëtojë Lulzim Bashën nga kriza.

Njësoj si Soros, republikanët kanë OJQ-të e tyre dhe miliarderët e tyre, që tentojnë të turbullojnë ujërat. Skandali i fundit i Facebook dhe “Cambridge Intelligence”, është një vepër e një milardieri republikan. Organizata “Judicial Watch”, është po ashtu një OJQ konservatore e këtij tipi, nga ato që thonë se “ngrohja globale është shpikje e Soros”.

Por këto janë punë të SHBA, janë legale, dhe janë aq larg vëmendjes për ne, sa është trishtim i madh të shikosh ku i ka shpresat opozita shqiptare. E vetmja gjë plot hare që ka bërë të lumtur Lulzim Bashën, është ideja që të shpallë armik ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, përmes disa lobistëve të tij në SHBA, për faktin se Soros ka qenë financues i disa aktiviteteve të reformës në drejtësi. Kjo jo vetëm që është fakt publik në Shqipëri, por vetë PD ka marrë pjesë në ato tryeza, ku Soros ka qenë sponsor i aktivitetit gjatë procesit të reformës dhe nuk ka nevojë të zbulohet  nga “Judicial Watch”.

Ai ka qenë sponsor krahas SHBA, BE, qeverisë shqiptare, por jo përmes tyre.

Reforma në drejtësi është vërtet makthi i Lulzim Bashës apo Sali Berishës, por është njëkohësisht një operacion i Perëndimit në Shqipëri, kryesisht SHBA dhe Bashkimit Europian. Ajo është konsideruar interes amerikan dhe janë përcjellë udhëzime të veçanta për ata që e refuzonin votimin e saj. SHBA është investuar aty me fondet e veta dhe me fuqinë e tyre politike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar deri sekretarin e Shtetit, për të bindur palët për reformën, dhe i qëndrojnë idesë se ajo është një interes amerikan, dhe do të jetë një mekanizëm i fuqishëm për të çrrënjosur korrupsionin në Shqipëri. Ky është vërtet hall për Lulzim Bashën, jo fakti që krahas BE e SHBA, qeverisë shqiptare dhe donatorëve të tjerë, edhe fondacioni “Soros” ka paguar disa tryeza debatesh. Mirë ishte t’i kishin marrë më shumë para për këtë punë, por dhe ata, me sa duket po i limitojnë fondet. Por reforma në drejtësi i numërohet Soros-it si një nga punët e mira në Shqipëri, në SHBA dhe Bruksel.

Kjo është aq qesharake, sa alarmi i Petrit Vasilit kur Shqipëria votoi kundër Jeruzalemit kryeqytet, se “SHBA do na ndërpriste fondet për “reformën në drejtësi”, alarm që përfundoi me një dekoratë të lobit hebre në SHBA për Edi Ramën, pas disa javësh. Dhe kjo u shpjegua prapë me Sorosin, se dhe ai është hebre.

Ngazëllimi i opozitës nga një raport formal, i një OJQ –je dhe zhurma e disa lobistëve, tregon se sa me zemër të thyer e nën presion e kanë ngritur dorën pro reformës dhe sa shumë janë penduar që e kanë bërë këtë. Për këtë në fakt i duhet qarë halli opozitës, e jo Donald Lu-së. E sidomos Xhorxh Soros-it, që kushedi me çfarë tubi oksigjeni po shtyn mbasditen në SHBA dhe as i shkon mendja tek Lulzim Basha.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës