Paratë e pista të politikanëve
gati struktura për konfiskimin

Paratë e pista të politikanëve<br />gati struktura për konfiskimin
Paratë e korrupsionit, pronat e paligjshme, bizneset dhe vilat e pajustifikuara të politikanëve dhe njerëzve të drejtësisë do të konfiskohen. Pranë Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion do të ngrihet një seksion i veçantë, Seksioni i Hetimit Financiar, posaçërisht për identifikimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme të pushtetarëve. Për konstatimin e pasurive të paligjshme të gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve do të japin asistencë edhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Projektligji për ngritjen e organeve antikorrupsion parashikon që Seksioni i Hetimit Financiar verifikon mjetet financiare dhe pasuritë e të pandehurve dhe raporton rezultatet tek Prokurori i
Posaçëm kompetent. Ndërkaq, punonjësit e këtij seksioni duhet të jenë të diplomuar në drejtësi, financë, llogaritar, apo në fusha të tjera përkatëse. Njerëzit e këtij sesioni, i cili pritet të trazojë politikanët dhe gjyqtarët e korruptuar, duhet të kenë një eksperiencë minimale pune dy vjeçare si oficerë të policisë gjyqësore. Kriteri i fundit është shtuar me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë. Një seksion i tillë në Prokurori është projektuar për të rritur aftësinë për të identifikuar pasuri a prona dhe për të ndihmuar prokurorët e posaçëm t’i konfiskojnë ato.

Seksioni i Ekspertizës
Pranë Prokurorisë së Posaçme do të ketë gjithashtu ekspertë që do të ndihmojnë në hetime dhe mund të dëshmojnë në gjyq, kundër të akuzuarve për korrupsion. Prokuroria e Posaçme do të ketë ekspertë në fusha të ndryshme për ta ndihmuar në ushtrimin e kompetencave të saj. Është parashikuar që Prokuroria të ketë një ekspert kontabël dhe një ekspert të teknologjisë së informacionit. Edhe punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët janë të kualifikuar, mund të japin ndihmesën e tyre në hetime apo të dëshmojnë në gjyq. Ndërkaq, ekspertët duhet të kenë përfunduar minimalisht studimet në nivelin master i shkencave në fushën e tyre të ekspertizës. Ekspertët duhet të kenë të paktën pesë vjet përvojë në fushën e tyre të ekspertizës.

Hetimet ndërkombëtare
Prokuroria e Posaçme ka për qëllim hetimin dhe ndjekjen penale të çështjeve të vështira apo të ndërlikuara, dhe shpeshherë provat, dëshmitarët apo të pandehurit do të jenë jashtë Shqipërisë. Për këtë arsye, Prokuroria do të ketë një person i cili të mund të lehtësojë bashkëpunimin ndërkombëtar. Për më tepër, ky pozicion mund të shërbejë si ndërlidhës për hetimet e përbashkëta me shtete të tjera. Ekipet e Përbashkëta Hetimore (EPH) janë të përhapura dhe nxiten nga konventat ndërkombëtare. Neni 13 i Konventës së Bashkimit Evropian për Ndihmën e Ndërsjelltë Ligjore i autorizon vendet e BE-së të krijojnë EPH. Edhe shtetet jo-anëtare të BE-së janë të lejuara të marrin pjesë në këto ekipe. Edhe jashtë BE-së, Neni 19 i Konventës së OKB-së kundër Krimit të Organizuar Transnacional (“Konventa e Palermos”) i nxit shtetet nënshkruese të marrin masa për hetime të përbashkëta.

Ndërlidhësi
Ndërlidhësi duhet të ketë minimalisht arsim të lartë në drejtësi dhe një diplomë masteri, nga të cilat njëra duhet të jetë marrë jashtë Shqipërisë. Kjo dispozitë ka për qëllim të garantojë që personi të ketë njohuri të mjaftueshme nga sisteme të tjera ligjore. Në këtë pozicion mund të atashohet edhe një prokuror i cili i përmbush kriteret. Kandidati duhet të ketë të paktën pesë vite përvojë, çka të jep gjykimin e duhur për të punuar me vende të tjera. Për shkak të natyrës së këtij pozicioni, ndërlidhësi duhet të flasë rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe atë angleze, si dhe duhet të njohë një gjuhë tjetër të huaj.
 
 Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Radhë kilometrike në pikën kuftare të Muriqanit! Makinat në pritje nga Mali i Zi për të hyrë në Shqipëri

Shkodër/ Radhë kilometrike në pikën kuftare të Muriqanit! Makinat në pritje nga Mali i Zi për të hyrë në Shqipëri