TIRANË- Tre ushtarakët e repartit të Zall Herrit, ku u gjet i kultivuar kanabis, janë njohur sot me masën e sigurisë. Gjykata e Tiranës vendosi masën ‘arrest me burg’ për tre ushtarakët Gramoz Mullai, 52 vjeç; Rustem Koçi, 25 vjeç, dhe Gentian Zhurda, 45 vjeç, të cilat akuzohen për shpërdorim detyre.

Report Tv ka mësuar se të tre ushtarakët nuk kanë pranuar para trupës gjykuese se janë fajtor për kultivimin e lëndës narkotike. Madje, ushtarakët kanë deklaruar se kishin lajmëruar eprorët e tyre për pamundësinë për të kontrolluar 140 hektarë tokë për shkak të terrenit të thyer që nuk i lejonte të bënin kontrolle të imtësishme.

Ndërkohë, mbrojtja ka thënë se tre ushtarakët nuk mund të akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike pa një akt ekspertim. Por, pavarësisht pretendimeve të palëve, Gjykata vendosi masën arrest me burg, ndërsa hetimet vijojnë. Deri më tani janë shoqëruar 13 persona në lidhje me kanabis sativën, por të gjithë janë lënë të lirë. Për hetuesit është akoma e paqartë se kush është autori i kultivimit. Bimët ishin mbjellë në muajin maj dhe janë varietet 6 mujor.

Kanabisi i kultivuar në repartin ushtarak të Zall Herrit u zbulua dy ditë më parë (5 gusht 2023) si rezultat i operacioni ‘Fokusi’. Kontrollet me dron kishin evidentuar një zonë ku dallohej se ishin kultivuar bimë narkotike, ndërsa policia sekuestroi 125 bimë kanabis. 4 të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë, mes të cilëve edhe komandanti i repartit dhe zëvendës komandanti i togës.  Pas zbulimit të parcelës me kanabis, për herë të parë në një repart ushtarak, ministri i mbrojtjes Niko Peleshi njoftoi pezullimin nga ushtria të personave të përfshirë.

Të arrestuar
1-Gramoz Mullai, 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë;
2- Rustem Koçi, 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin;
3- Gentian Zhurda, 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie.
Në hetim në gjendje të lirë
1- A. J., 41 vjeç, me detyrë Specialist Infrasktrukture;
2- P. H., 52 vjeç, me detyrë Zv/Komandant toge;
3- I. D., 47 vjeç, me detyrë magazinier;
4- P. D., 57 vjeç, me detyrë Komandant Reparti.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:22
Kanabisi në repartin ushtarak të Zall Herrit, PL: Ngjarje shumë e rëndë, Peleshi dhe Rama të përfshirë në aferë! Ministri të japë dorëheqjen

1691414671_tediblushi1770x386.jpg

Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka bërë një reagim sa i takon kanabisit të zbuluar në repartin ushtarak të Zall Herrit. Blushi thotë se do duhet që Peleshi dhe Rama të japin shpjegime për këtë ngjarje të rëndë.

‘Vendosja dhe përdorimi i bazave të sigurisë së lartë të Forcave të Armatosura në funksion të kultivimit dhe trafikut ndërkombëtar të drogës është një ngjarje shumë e rëndë, me pasoja tepër serioze për sigurinë kombëtare dhe jo vetëm, që duhet të kishte ngritur në këmbë të gjithë shtetin.

Kjo nuk është një ngjarje e izoluar, por është vijim i përdorimit konstant të bazave dhe kapaciteteve të ushtrisë shqiptare në funksion të trafikut të drogës, nga aerodromet, fikja e radarëve e deri tek përfshirja direkte e drejtuesve më të lartë të ushtrisë në këtë trafik.

Tanimë është fakt se Shqipëria është i vetmi vend në historinë e NATO-s ku në bazat ushtarake kultivohet drogë, një skandal që nuk mund të ndodhte pa dijeninë e Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, të përfshirë në këtë aferë.

Është kjo arsyeja pse kultivimi i drogës në bazën e sigurisë së lartë në Zall-Herr të Tiranës nuk “guxohej” të zbulohej nga Policia e Taulant Ballës, por u denoncua dhe u kap nga shërbimet partnere të inteligjencës dhe sigurisë, të cilat i falenderoj në emër të Partisë së Lirisë për angazhimin e tyre konstant në luftën kundër trafikut të drogës në Shqipëri.

Nëse nuk do të ndodhte ndërhyrja e tyre, ushtarët e Niko Peleshit dhe policët e Taulant Ballës do të vazhdonin të ujisnin dhe të ruanin kanabisin, për ta trafikuar më pas jashtë vendit.

Faktet e dala së fundmi në dritë bëjnë me dije se kultivimi i kanabisit në Zall-Herr ka qenë i mirëorganizuar, aq sa ushtarakët dhe komandantët e përfshirë në këtë skandal ishin kujdesur për të furnizuar në çdo kohë me ujë parcelat e drogës.

Shndërrimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë në narko-ushtri, sikur të ishin pjesë e forcave talebane dhe jo anëtare të NATO-s është një skandal i rëndë që implikon thellë dhe me përgjegjësi shumë të rëndë, Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili edhe më herët në detyrën e Ministrit të Bujqësisë është akuzuar për parcelat e kanabisit dhe lidhjet shumë të afërta dhe të forta me drejtuesit kryesorë të bandave që drejtojnë trafikun e drogës në Qarkun e Korçës.

Zbulimi nga shërbimet partnere të sigurisë të këtij skandali të turpshëm në historinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë tregon gjithashtu dështimin flagrant edhe të Shtabit të Përgjithshëm, Shërbimit Informativ të Ushtrisë dhe Policisë Ushtarake, çka provon se kultivimi i drogës në bazën më elitare ushtarake ishte një porosi që “vinte nga lart”.

Zbulimi se repartet tona ushtarake, si në rastin e repartit të sigurisë së lartë në Zall-Herr, janë shndërruar në baza droge është një tjetër provë e shndërrimit të Shqipërisë në narko-shtet dhe protektorat droge nga Edi Rama, me paratë e të cilave ai ble zgjedhjet.

Kjo ngjarje shumë e rëndë që nxin imazhin e Shqipërisë dhe të Forcave tona të Armatosura, pjesë e NATO-s, kërkon urgjentisht mbajtjen e përgjegjësisë morale, politike dhe ligjore, ndaj apelojmë me forcë dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili nuk mund të shfajësohet për këtë skandal kaq të rëndë me “dy rreshta justifikim në Facebook” por duhet të japë sa më parë sqarime para drejtësisë.’- tha Blushi.

Ora 11:31
Parcela me kanabis në repartin ushtarak të Zall Herrit, 13 të shoqëruar! Ende nuk dihen kultivuesit

1691236366_kanabis.jpg

Tre ushtarakët e repartit të Zall Herrit, ku u gjet i kultivuar kanabis,Gramoz Mullai; Rustem Koçi dhe Gentian Zhurda u lanë në burg nën akuzën shpërdorim detyre. Report Tv mëson se deri më tani janë shoqëruar 13 persona në lidhje me kanabis sativën, por të gjithë janë lënë të lirë. Për hetuesit është akoma e paqartë se kush është autori i kultivimit. Ndërkohë, tre ushtarakët kanë mohuar autorësinë. 

Ora 11:10
Parcela me kanabis në repartin ushtarak të Zall Herrit, ushtarakët: Kemi lajmëruar eprorët, ishte e pamundur për t’u kontrolluar 140 ha tokë me terren të thyer

 

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg tre ushtarakët, pasi në repartin ushtarak të Zall Herrit u zbuluan 125 bimë kanabis. Tre ushtarakët Gramoz Mullai, 52 vjeç; Rustem Koçi, 25 vjeç dhe Gentian Zhurda, 45 vjeç, akuzohen për shpërdorim detyre.

Report Tv ka mësuar se para gjykatës ata nuk e kanë pranuar akuzën duke thënë se është e 140 hektarë tokë e repartit ushtarak. Madje ata kanë thënë se i kanë lajmëruar eprorët e tyre për pamundësinë e kontrollit të këtij territori të thyer.